Moderatorja e njohur shqiptare, Kiara Tito, ka ndarë së fundmi një rrëfim të ndjerë për periudhën e vështirë që ka kaluar para se të bëhej pjesë e reality show-t “Big Brother VIP Albania”, i cili, sipas saj, i ndryshoi tërësisht jetën.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Kiara foli hapur për momentet e pasigurta që kishte përjetuar dhe vendimin që i dha një drejtim të ri jetës së saj, si në aspektin personal ashtu edhe profesional.
Po të mos isha futur në Big Brother, nuk do të kisha këtë jetë që kam tani. Nuk do të kisha Lunën, nuk do të kisha takuar Luizin dhe ndoshta nuk do të isha kthyer më në televizion. Ishte një periudhë ku nuk dija çfarë doja nga jeta. Ishte ose gjithçka, ose asgjë
-u shpreh moderatorja.
Ajo tregoi se ishte tërhequr nga jeta publike dhe shoqëria, duke pranuar se e kishte humbur motivimin dhe dëshirën për të vazhduar në botën e televizionit.
Nuk do ta kisha takuar Luizin jashtë, sepse nuk dilja më në rrugë, nuk doja të shfaqesha më askund, nuk doja të isha më pjesë e ekranit
Kiara shtoi se pjesëmarrja në reality show rezultoi të ishte një pikë kthese që e ndihmoi të rindërtonte jetën dhe identitetin e saj.
Ndoshta fati luan rolin e vet, por në fund janë vendimet tona ato që e ndryshojnë rrjedhën e jetës
Sot, Kiara gëzon një jetë të lumtur familjare përkrah Luiz Ejllit dhe vajzës së tyre të vogël, Lunës, ndërsa mbetet një figurë e dashur për publikun shqiptar, duke dhënë shpesh mesazhe frymëzuese për ata që ndodhen në udhëkryq jetësor.