Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un zotohet për “mbështetje pa kushte” për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe tha se pret që Moska të dalë fitimtare, siç raportoi sot media shtetërore në Phenian. Vendi komunist është bërë një nga aleatët kryesorë të Moskës.
Pheniani ka dërguar mijëra trupa dhe armë për të ndihmuar Kremlinin që të dëbojë forcat ukrainase nga rajoni kufitar rus i Kurskut.
Gjatë takimit me zyrtarin e lartë rus të sigurisë, Sergei Shoigu, takim i zhvilluar një ditë më parë, Kim tha se Pheniani do të “mbështesë pa kushte Rusinë, si dhe politikat e saj të jashtme për të gjitha çështjet politike ndërkombëtare që përfshijnë problemin ukrainas”, siç raportoi media shtetërore, KCNA.
Kim shprehu pritshmëritë dhe besimin se Rusia, si gjithmonë, do të fitojë. Palët janë pajtuar të vazhdojnë zgjerimin në mënyrë dramatike të raporteve.
Vitin e kaluar, Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një marrëveshje ushtarake, që përfshiu edhe mbrojtjen reciproke, gjatë një vizite të rrallë të udhëheqësit rus, Vladimir Putin, në Korenë e Veriut.
Gjatë një vizite në muajin mars, Shoiugu mburri marrëveshjen, duke thënë se “përputhet plotësisht me interesat e të dyja vendeve”.
Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve për Rusinë, referuar informacioneve të inteligjencës të Koresë së Jugut. Po ashtu, Seuli zyrtar ka akuzuar Veriun se po dërgon sasi të mëdha armësh në Rusi, përshirë edhe raketa.
Në muajin prill, Koreja e Veriut konfirmoi për herë të parë se ka dislokuar trupa në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë dhe ka pranuar se i janë vrarë ushtarë gjatë luftimeve.