I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë ish-deputeti Ervin Salianji, për një bisedë pa filtra mbi kohën e kaluar në burg, aktualitetin në vend, si dhe për dashurinë e tij të jetës…
Si ishin ndjesitë tuaja momentin e parë që shkelët në burg?
Nuk janë ndjesi të mira, janë ndjesi të përziera. Në një rast si ky i imi, ka dhe ndjesi të tjera që nuk kanë të bëjnë vetëm me burgun, që është padrejtësia, guximi që mafia mund të marrë revansh ndaj politikës apo institucioneve, që e padrejta të triumfojë me atë që duhet të jetë parimi moral më i rëndësishëm në një shoqëri të drejtë. Kanë qenë shumë elementë, si izolimi. I kupton më shumë disa liri ose të drejta kur nuk i ke. Kur i ke të duken të mirëqena. Kanë luftuar të tjerët që ne të kemi këto liri sot dhe çdo gjë që është e fituar pa mund, pa djersë, nuk ia di vlerën. Aty i kupton vlerën gjërave që në jetën e përditshme as nuk i imagjinon dot. Liria nuk është thjesht një koncept që vjen nga filozofia apo nga e drejta dhe që është një e drejtë natyrore e patjetërsueshme për njeriun, por kur të mungon e kupton se pse është vendosur në hierarkitë e gjërave më të rëndësishme në jetë, që është më e rëndësishmja në fakt.
Ishte i frikshëm si ambient?
E para, je në izolim, që është element i një trysnie të madhe që të jep mungesa e lirisë. E dyta, je me orare. E treta, nuk je me zgjedhje aty. Ti je i detyruar që të shkosh. Ndryshe nga ç’flitet, se ka një mit, nuk ka kushte të mira në institucionet e vuajtjes së dënimit. Janë keq.
Krijuat një komunitet aty për të ndarë biseda?
Si profil, unë nuk është se jam pa miq, edhe jashtë. Kam pasur respektin e të gjithëve, pavarësisht se secili bën burgun për veprimet e veta. Është një burg i madh, pothuajse 900 të burgosur, me të cilët disa rrimë më shumë, disa më pak, por kam pasur respektin e të gjithëve.