Familja Kardashian mbetet një nga fenomenet më të mëdha mediatike në botë. Prej vitesh, jeta e tyre personale ka qenë në qendër të vëmendjes globale përmes reality show-ve të suksesshme si “Keeping Up with the Kardashians”, i cili më vonë u transformua në formatin online “The Kardashians”.
Së fundmi, një prapaskenë e panjohur nga ky univers televiziv u zbulua gjatë një bisede në podkastin “Khloé In Wonderland”, ku u fol për një episod që nëna e familjes, Kris Jenner, kishte tentuar ta ndalonte që të shfaqej për publikun. Zbulimi erdhi nga vetë Kim Kardashian, e cila rrëfeu detaje tronditëse nga xhirimet.
Bëhet fjalë për një konflikt të ashpër mes Kim dhe Kourtney Kardashian gjatë premierës së sezonit të 18-të të reality show-t.
Përplasja, e njohur tashmë si “sherri me shuplaka”, u zhvillua para kamerave dhe përfshiu shtyrje, kapje dhe goditje fizike mes dy motrave, duke kaluar çdo kufi të zakonshëm të debateve familjare.
Por ky nuk ishte i vetmi moment i tensionuar. Kim kujtoi gjithashtu një debat tjetër të fortë që lidhej me dasmat e tyre në Itali. Kim u martua me Kanye West në vitin 2014, ndërsa Kourtney zgjodhi të njëjtin destinacion për martesën e saj me Travis Barker në vitin 2022, gjë që nxiti akuza, pakënaqësi dhe komente të forta mes motrave, të gjitha të kapura nga kamerat e produksionit.
Sipas Kim Kardashian, reagimi i Kris Jenner ishte i menjëhershëm dhe i prerë.
Mamaja tha: ‘Kjo nuk do ta shohë kurrë dritën e diellit’
-rrëfeu Kim në podkast, duke lënë të kuptohet se jo çdo moment i jetës së Kardashianëve është bërë publik.
Ky rrëfim ka rihapur diskutimet mbi censurën brenda reality show-t dhe ka ngritur pyetje mbi sa shumë drama, konflikte dhe përplasje familjare janë fshehur nga publiku ndër vite. Edhe pse Kardashianët janë të njohur për transparencën e tyre ekstreme, duket se disa sekrete mbeten ende pas kamerave.