Të gjithë kemi kaluar ndonjëherë disa ditë të lodhshme, ku shtrati duket si vendi i vetëm ku mund të ndjehemi të qetë dhe të mbrojtur. Ajo ndjesi e dëshirës për t’u mbështjellë me çarçafët dhe të harrojmë gjithë botën është diçka normale për shumë prej nesh.
Megjithatë, kur kjo dëshirë për të qëndruar në shtrat shndërrohet në një varësi të vazhdueshme, mund të kemi të bëjmë me një problem më serioz: klinomania.
Klinomania është një shqetësim psikologjik që karakterizohet nga një dëshirë e fortë dhe obsesive për të qëndruar në shtrat, duke shmangur aktivitetet e zakonshme dhe jetën sociale.
Kjo gjendje është më shumë se një thjeshtë “ditë dembele” – ajo mund të shoqërohet me simptoma si lodhje e vazhdueshme, vështirësi në përqendrim, izolim dhe apati.
Kur kjo gjendje bëhet kronike, mund të jetë një shenjë e një shqetësimi më të thellë psikologjik.
Shkaqet e klinomanisë janë të shumta dhe mund të përfshijnë faktorë si depresioni, ankthi, trauma të kaluara, ose vetëvlerësimi i ulët.
Për më tepër, problemet fizike, si çrregullimet e gjumit, çrregullimet hormonale, apo lodhja kronike, mund të ndikojnë në këtë gjendje dhe ta bëjnë individin të ndihet i pafuqishëm, sikur çdo aktivitet është një ngarkesë tepër e madhe.
Por si mund të dalim nga kjo situatë? E para është të kuptojmë se nuk do të ketë ndodhi magjike që do ta ndryshojnë gjithçka brenda natës.
Nuk ka një “zgjim të mrekullueshëm” që do ta bëjë gjithçka më të mirë, por ndihma profesionale dhe një vullnet i mirë mund të ndihmojnë në trajtimin e kësaj gjendjeje.
Ja disa hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni për të përballuar klinomaninë:
– Krijimi i një rutine ditore: Mundohuni të ngriheni në të njëjtën orë çdo ditë, për të krijuar një ritëm të shëndetshëm.
– Dalja jashtë: Një shëtitje e shkurtër dhe pak diell mund të bëjnë mrekulli për përmirësimin e humorit dhe energjisë tuaj.
-Mësoni diçka të re: Angazhimi në aktivitete të reja, si një hobi apo interes i ri, mund të stimulojë trurin dhe të rrisë vetëvlerësimin tuaj.
Nëse kjo gjendje vazhdon dhe bëhet më e vështirë për t’u menaxhuar, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale. Një bisedë me një psikolog mund të ofrojë udhëzime të nevojshme dhe mbështetje të specializuar për të përballuar këtë çrregullim.
Këshilla e fundit është të jeni të vëmendshëm ndaj sinjaleve që trupi dhe mendja juaj dërgojnë. Kujdesuni për veten dhe mos e neglizhoni asnjëherë nevojën për mbështetje kur është e nevojshme.