Aktualitet Lajmet e fundit

KLP-ja pranon kërkesën për Kledian Llahon: Largohet nga detyra si kryeprokuror i Sarandës!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., duke caktuar masën “Ulje page në masën 20% për 3 muaj”, përkundër propozimit të ILD për “Ulje page në masën 40% për 1 vit”, ndërsa ka pranuar plotësisht propozimin e ILD për masën “Largimi nga detyra i kryetarit”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bazuar në 6 ankesa të një prokuroreje në të njëjtin institucion, për veprime e sjellje, që përbëjnë shkelje disiplinore nga ana e drejtuesit K.Ll.

Hetimi disiplinor i kryer nga ILD konkludoi se veprimet e mosveprimet e K. Ll. përbëjnë mos përmbushje, në cilësinë e drejtuesit, të detyrimeve të përcaktuara në ligj, në veçanti e detyrave që lidhen me sistemin e menaxhimit të çështjeve. Nga hetimi u konstatuan shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë. Shkelja disiplinore vërehet në raport, është kryer me dashje direkte dhe ekziston rreziku që ndikimi negativ i saj të shtrihet në zyrën e prokurorisë në tërësi, duke përbërë rrezik për përsëritje ngjarjesh, që ulin imazhin e zyrës së prokurorisë.

Magjistrati ka marrë masën disiplinore “Vërejtje Publike” për një shkelje të mëparshme nga ana e KLP-së, me datë 30.01.2025, për veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mos përmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, e duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2 vjeçare.

Gjatë parashtrimeve para KLP-së inspektorja e ILD-së vërejti, se në kohën e depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, prokurori K.Ll., ushtronte të njëjtën detyrë, si në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar.

Aktualisht ai nuk ushtron detyrën as si drejtues as si prokuror, për shkak se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj këtij magjistrati, si i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Në konkludim, ILD i propozoi KLP-së caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 1-vjeçare” ndaj magjistratit K. Ll, për shkeljen disiplinore, si dhe një masë të disiplinore plotësuese “Largimi nga detyra e kryetarit”.

Kërkesa e parë u pranua pjesërisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që caktoi masën “Ulje 20% e pagës për një periudhë 3-mujore” dhe pranoi plotësisht kërkesën e ILD për masën plotësuese “Largim nga detyra e kryetarit” për magjistratin K.Ll.