Viti 2026 ka nisur si një moment historik për miliona fansa të BTS në mbarë botën. Grupi legjendar i K-pop do të rikthehet zyrtarisht në skenë në muajin mars, pas gati katër vitesh mungesë për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak të anëtarëve në Korenë e Jugut.
Netflix ka konfirmuar se rikthimi i shumëpritur i grupit do të shënohet me një koncert live global, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt më 21 mars dhe do të jetë i aksesueshëm për të gjithë abonentët e platformës, pa kosto shtesë.
Koncerti do të mbahet në Sheshin Gwanghwamun në Seul, përballë Pallatit historik Gyeongbokgung, vetëm një ditë pas publikimit të albumit të ri të BTS, të titulluar “Arirang”, i cili pritet të dalë në treg më 20 mars, sipas agjencisë EFE.
Ky event shënon rikthimin e parë madhor të grupit që nga suksesi global i këngës “Proof” në vitin 2022 dhe do të shërbejë si pikënisje e turneut të tyre botëror. Turneu do të nisë më 9 prill dhe do të përfshijë disa shtete, mes tyre edhe Spanjën, ku BTS do të performojnë më 26 dhe 27 qershor në Madrid, në stadiumin Riyadh Air Metropolitano, shtëpia e Atletico Madrid.
Përveç koncertit, Netflix do të publikojë edhe një dokumentar ekskluziv mbi grupin. Projekti me titull “BTS: THE RETURN” do të ketë premierën më 27 mars dhe do të ndjekë rrugëtimin emocional të grupit nga ndarja për shkak të shërbimit ushtarak, ribashkimi gradual i anëtarëve, procesi i krijimit të albumit të ri dhe përgatitjet intensive për turneun botëror.
Rikthimi i BTS pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit 2026 dhe një moment i paharrueshëm për ARMY-n në mbarë botën.