Aktualitet

“Koordinata” në Shkodër, asgjësohen mbi 3 mijë bimë cannabis!

Policia e Shkodrës vijon të intensifikojë kontrollet në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”, të ndërmarrë kundër kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut verior. Tre ditët e fundit u asgjësuan 3 mijë e 126 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa, të zbuluara në zona të ndryshme.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni përfshiu njësitë administrative Shalë, Pult, Shosh, Ana e Malit, Kastrat, Kelmend, Temal dhe Shllak.

Në vijim të veprimeve procedurale:

-Në Shkodër, në zonat e Shalës, Pultit dhe Shoshit u gjetën dhe u asgjësuan 922 bimë narkotike. Eshtë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “shpërdorim detyre” kryetari i fshatit Oblikë, shtetasi S. P..

-Në Malësi të Madhe, në Kastrat dhe Kelmend u zbuluan 1034 bimë Cannabis Sativa, dhe po për të njëjtën vepër penale janë proceduar kryetari i fshatit Selcë, shtetasi A. D., si dhe roja i mjedisit, shtetasi P. G..

-Në Vaun e Dejës, në zonat Temal dhe Shllak, u identifikuan dhe asgjësuan 1170 bimë narkotike.

Policia ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa është në proces identifikimi dhe kapja e autorëve të përfshirë në kultivimin e kanabisit.