Rajoni

Kosova dhe Serbia në Bruksel në maratonë takimesh, por asnjë përparim!

Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh dje në Bruksel. Sipas liderëve  të Unionit, arritjen e dakordësisë e penguan kushtëzimet që paraqitën palët. Kryeministri Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, këmbënguli në zbatimin e asaj që “është firmosur”.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja nuk u mundësua, pasi “parakushtet e njërës palë nuk ishin të pranueshme për tjetrën”. Temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i prezantuar në Prishtinë e Beograd më 21 tetor. Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun lidhur me normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

Sipas një deklarate të Qeverisë së Kosovës, të publikuar pas takimeve që zhvilloi me udhëheqës  europianë në Bruksel, Kurti përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por nënvizoi se pala tjetër nuk është.

Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiç deklaroi:

Serbia dëshiron t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës. Më 21 tetor, kur në Beograd prita të dërguarit perëndimorë, mora një letër që ishte bazë e mirë për të ardhmen. Ajo i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por nuk mund të flas për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.

Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që kemi marrë. Por, Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës, hapa që në njëfarë mënyre i kërkon Marrëveshja Bazë.

Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje, por për zbatimin e asaj që është firmosur dikur apo për të cilën është rënë dakord.