Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot mblidhen për të zgjedhur nënkryetarin serb dhe që të përmbyllin konstituimin e parlamentit të vendit. Seanca e konstituimit vazhdon pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja.
Tashmë, Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët. Deputetët kanë 12 ditë afat për ta konstituuar, referuar vendimit të gjykatës. Dështimi për të formuar Kuvendin pas zgjedhjeve politike të 9 shkurtit, e ka zhytur vendin në krizë.
Çfarë deklaroi Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Paraprakisht, kryeparlamentari i tij, Dimal Basha, e pati shpallur të konstituuar, në mënyrë të njëanshme.
Po ashtu, Kushtetuesja tha se për nënkryetarët e Kuvendit, votimi në grup nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordësi mes grupeve parlamentare.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, u ankua pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në grup i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.
Kuvendi ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe, por ka dështuar të zgjedhë atë nga pakica serbe, pavarësisht vazhdimeve të pafundme të seancës të nisur më 15 prill.
Sipas urdhrit të gjykatës më të lartë të vendit, tani, deputetët do të kenë 12 ditë kohë për të zgjedhur nënkryetarin serb e për ta patur përfundimisht kuvendin e ri. Por, mbetet e pa sqaruar se çfarë ndodh më tej nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe parlamenti nuk konstituohet brenda afatit 12 ditor.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, bëri të ditur se partia e saj nuk do të votojë për asnjë kandidat për nënkryetarin serb të kuvendit.
Nuk e votojmë asnjë. Ata që e kanë bllokuar [Kuvendin] le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog. Asnjëherë nuk është politizuar kështu zgjedhja e një nënkryetari. Qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë që të mos konstituohet Kuvendi.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, tha se ai me deputetët e tjerë nga partia e tij, nuk do të votojnë për askënd tjetër nga komuniteti serb, përveç Nenad Rashiqit, për postin e nënkryetarit të kuvendit.
Sigurisht që Rashiq do të zgjedhet. Gjërat kanë ndryshuar. Janë vetëdijësuar, tha Bahtiri, para seancës, kur u pyet nëse kanë siguruar vota të mjaftueshme për Rashiqin, pas dështimit në seancën e fundit.