Rajoni

Kosovë, në mesditë vijon seanca e konstituimit të Kuvendit!

Në mesditë, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën e konstituimit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe që dështoi dy ditë më parë.  Kjo seancë zhvillohet me marrjen e letrës që presidentja Vjosa Osmani i ktheu Avni Deharit, deputetit më të moshuar, i cili është në rolin e kryesuesit të seancës. Osmani rikujtoi afatin se kur duhet të mblidhen deputetët, pra brenda 48 orëve. Kryetarja e shtetit u shpreh:

Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni brenda 48 orësh!

Osmani theksoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese tashmë ka karakter detyrues dhe se është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar.

Ditën e martë, 15 prill, u ndërpre seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.  Dehari e mori vendimin për shkak të mos votimit të raportit lidhur me konfirmimin e mandatave. Ishin 52 deputetë pro, 46 kundër dhe 11 që abstenuan.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që të treja parti opozitare, votuan kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro dokumentit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, si dhe ata të Nismës.

Kujtojmë se pas konstituimit të Kuvendit është i mandatuari i qeverisë nga partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, që ka 15 ditë, siç e parashikon Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë, që të shfrytëzojë kohën për të siguruar votat e nevojshme për votimin e qeverisë, e cila duhet të ketë të paktën 61 vota.

Në rast dështimi të formimit të qeverisë, i takon partisë së dytë PDK-së të marrë mandatin për formimin e ekzekutivit.