Më shumë se një e treta e shoferëve gjermanë thonë se po planifikojnë ta lënë makinën në shtëpi, më shumë për shkak të rritjes së çmimeve, sipas një sondazhi të publikuar së fundmi. Kompania analitike britanike për vëzhgimin e tregut, ‘YouGov’ zbuloi se 22,9% po e bënin tashmë këtë, ndërsa 12% të tjerë synonin të shkurtonin kohën e ngarjes së makinës.

Paraja ishte faktori kryesor motivues. 49% e tyre thanë se donin të kursenin para. Për 16%, mjedisi ishte arsyeja kryesore, ndërsa 14,9% donin të bënin më shumë ecje. Në këtë sondazh, tre të katërtat e të pyeturve thanë se varen nga makina e tyre në një farë mase, pjesërisht për shkak të mungesës së opsioneve të transportit publik. Sipas shoqatës së shoferëve “ADAC” thuhet se:
Rreth gjysma e shoferëve përdornin makinën e tyre të paktën pesë herë në javë. Lufta në Ukrainë e ka çuar koston e karburantit në nivele rekord në Gjermani, me benzinën që kushton aktualisht mesatarisht 2,09 euro (2,30 dollarë) për litër dhe naftën 2,16 euro.

Një zëdhënës i Shoqatës Federale të Transportit Rrugor, Logjistikës dhe Asgjësimit tha ndër të tjera se:
Drejtuesit më pak skrupulozë mund t’i drejtohen një taktike tjetër për të ulur kostot e karburantit, asaj të vjedhjes. Vjedhjet e karburantit janë rritur. Megjithatë, ne nuk njoftohemi për çdo rast sepse ato raportohen rrallë.
Ndërkaq, në vendin tonë para dy ditësh Bordi i Transparancës i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit në mbledhjen e tij përcaktoi çmimet e reja të karburanteve, të cilat kanë shënuar rritje në krahasim me nivelin aktual. Në mbledhje u deklarua se:
Çmimi i naftës do të jetë 221 lekë për litër, nga 203 lekë që ishte deri dje dhe benzina 211 lekë, nga 206 që ishte më pare. Vendimi hyn në fuqi sot dhe zgjat deri të enjten. Operatorët thonë se dhe në këto nivele janë 15 lekë me humbje.