Aktualitet

Kreu i KPP-së në GJKKO për verifikimin e masës së sigurisë!

Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, KPP, Jonaid Myzyraj, i pezulluar nga detyra me vendim gjykate u paraqit në Gjykatën e Posaçme, GJKKO për verifikimin e masës “Detyrim për paraqitje”. Myzyraj është marrë i pandehur nga SPAK-u për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Pak ditë më parë, me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja caktoi ndaj tij masat e sigurimit “Pezullim të ushtrimit të funksioneve publike” dhe “Detyrim për paraqitje”.

Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyraj, u paraqit në SPAK paraditen e së hënës më 30 qershor. Ai është marrë i pandehur nga SPAK në kuadër të një hetimi për shkelje të barazisë në tendera, vepër penale e dyshuar se është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë dyshime se gjatë ushtrimit të funksionit, ka ndikuar në mënyrë të padrejtë në procedurat e prokurimit publik, duke cënuar parimet e barazisë e të konkurrencës së ndershme në tendera.