Rusia shprehet e gatshme të dialogojë, të paktën referuar fjalëve të sotme të Ministrit të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov.
Jam i bindur se histeria do të pakësohet dhe Perëndimi do të kapërcejë furinë e tij!
Kryediplomati i Moskës adresoi akuza të forta ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Uashingtoni e dominon Europën, siç bënë dikur Napoleoni apo Hitleri!
Lavrov shpreh bindjen se do të gjendet një zgjidhje për Ukrainën, si dhe konfirmoi se sot do të ketë bisedime me palën ukrainase. Më tej u shpreh në favor të rolit ndërmjetësues të presidentit francez Emmanuel Macron.
Në raundin e dytë të bisedimeve të shtyrë nga dje, Rusia dhe Ukraina do të diskutojnë për armëpushimin kur palët të takohen në rajonin perëndimor të Bjellorusisë, Brest. Por, mes tyre ka pak të përbashkëta.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha për Reuters-in dhe CNN-in se “Rusia duhet t’i ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase, përpara se të nisin bisedimet për armëpushim”.
Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, deklaroi se “përveç armëpushimit do të diskutohet edhe çështja e një korridori humanitar në Ukrainë”.
Përfaqësuesit u takuan edhe të hënën e 28 shkurtit, por pa rezultat. Planet për raundin e dytë të bisedimeve erdhën pas izolimit gjithnjë e më të madh të Rusisë nga Perëndimi. Një ditë më parë, shumica e vendeve në botë dolën kundër Moskës në Kombet e Bashkuara, duke i kërkuar tërheqjen e trupave nga Ukraina. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese, që e dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë. Kundër votuan vetëm Rusia, Bjellorusia, Eritrea, Koreja e Veriut e Siria.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba kërkon “no fly zone” kundër rusëve. Në një postim në Twitter shkruan:
Kjo është një luftë e vërtetë e popullit për Ukrainën. Putin nuk ka mundësinë ta fitojë! Qytetarët t’i bllokojnë pushtuesit rusë në Energodar. Kemi nevojë për partnerë që ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet, sidomos në rrugë ajrore!
Zelensky paralajmëroi Moskën se do të paguajë për dëmet e shkaktuara në luftën brutale.
Do të rindërtojmë çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo qytet!