Aktualitet

Kryeministri Rama pritet të mbërrijë në Vlorë, do të takohet me Ivanka Trump për investimet strategjike në zonë!

Kryeministri Edi Rama pritet të mbërrijë në Vlorë në orët në vijim. Sipas burimeve, Rama do të akomodohet në vilën qeveritare.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se kryeministri pritet të zhvillojë një takim privat me Ivanka Trump, si dhe me arkitektët që kanë shoqëruar gjatë ditës së sotme vajzën e presidentit amerikan Donald Trump.

Mësohet se në fokus të takimeve do të jenë investimet e mundshme strategjike në zonën e Vlorës, të lidhura me interesat e familjes Trump dhe të dhëndrit të presidentit, Jared Kushner.

Takimet pritet të zhvillohen larg vëmendjes së mediave, ndërsa masat e sigurisë në qytet janë shtuar ndjeshëm.

Më herët kryeministri Edi Rama dhe Kushner u takuan më 7 janar në Paris.

Sjellim ndërmend se kjo nuk është hera e parë që Trump dhe Kushner vizitojnë vendin tonë. Madje verën që lamë pas ata erdhën për të kaluar pushimet në Jug.

Vajza e Donald Trump, Ivanka, nuk e ka fshehur interesan e saj për Shqipërinë. Në dhjetor ajo postoi një Story në Instagram duke treguar se i ishte futur studimeve për vendin tonë.

LEXO EDHE: Media: Dhëndri i Trump e shndërron ishullin ‘fantazmë’ në Shqipëri në një projekt turistik miliarda dollarësh!

Pas takimit të zhvilluar në një nga hotelet e qytetit të Vlorës, dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA-së, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, janë ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.

Të shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump dhe Kushner kanë inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni. Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Ndërkohë bashkëshorti i saj Kushner, ka një projekt të turizmit luksoz për të zhvilluar ishullin e Sazanit.