Në vitin 2026, eklipsi total i Diellit do të ndodhë më 12 gusht. Rruga e totalitetit do të kalojë mbi Oqeanin Arktik, Groenlandën lindore, Islandën perëndimore dhe veriun e Spanjës. Ky fenomen i rrallë pritet të tërheqë mijëra udhëtarë dhe adhurues të astronomisë drejt këtyre zonave, ku për disa minuta Dielli do të mbulohet plotësisht nga Hëna. Spanja do të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për eklipsin e gushtit 2026. Fenomeni do të prekë Ishujt Baleare, përfshirë Majorkën, Minorcën dhe Ibizën, ku do të mund të shihen rreth një e gjysmë deri në dy minuta errësirë totale mbi Detin Baleare.
Edhe zonat malore në pjesën veriore dhe qendrore të Spanjës, përfshirë qytetet mesjetare Burgos dhe Soria, ofrojnë vende të mira për vëzhgim. Disa operatorë turistikë tashmë po organizojnë ture speciale për këtë ngjarje, duke përfshirë përvoja në vreshta dhe ligjërata nga astrofizikanë të njohur. Islanda do të përjetojë një nga momentet më të gjata të totalitetit, që do të zgjasë rreth dy minuta e 18 sekonda në Gjirin Breidafjordur, mes Westfjords dhe Gadishullit Snaefellsnes.
Vizitorët mund të bashkohen në ecje të udhëhequra mbi akullnaja dhe ta shohin eklipsin nga maja e akullnajës Snæfellsjökull, ose të marrin pjesë në ture disa-ditore në fshatra të largëta peshkimi si Arnarstapi. Akullnajat, vullkanet dhe plazhet me rërë të zezë do të krijojnë një sfond pothuajse të pabesueshëm për këtë ngjarje qiellore. Edhe Groenlanda do të jetë në rrugën e totalitetit, për rreth dy minuta e 17 sekonda, kryesisht mbi zona të pabanuara të bregdetit lindor dhe detit përreth. Mundësia më e mirë për ta parë eklipsin atje është përmes një kroçere, si ekspeditat që lundrojnë në Scoresby Sund dhe përgjatë bregdetit Blosseville, duke u afruar pranë akullnajave për një përvojë unike.