Lifestyle

Kur e humbasim ndjeshmërinë në një botë që s’pushon së foluri!

Ka ndonjëherë ditë kur gjithçka duket shumë. Zhurma e rrjeteve sociale, fjalët që nuk thonë asgjë, reklamat që bërtasin “bli më shumë”, njerëzit që flasin pa dëgjuar. Dhe ti, në mes të gjithë kësaj, ndihesh sikur po humbet diçka, ndjeshmërinë.

Ndjeshmëria nuk është dobësi, por ajo aftësi delikate për të ndjerë thellë, për të vërejtur të paqenët, për të reaguar jo me impuls, por me zemër. Në një realitet që na stërmbush me informacione dhe stimuj, ndjeshmëria është një luks i humburm apo më saktë, i neglizhuar.

E kemi zëvendësuar me shpejtësinë. Me përgjigjet e menjëhershme. Me vendimet e nxituara. Me ironinë në vend të sinqeritetit. Me “story”-t e kurikuara në vend të heshtjes kur ndihesh bosh. Dhe kjo mungesë e lidhjes me veten krijon një zbrazëti të heshtur, që nuk e mbush asnjë status i bukur.

Të rikthesh ndjeshmërinë do të thotë të ndalosh. Të vëresh si ndriçon drita mbi tavolinë në mëngjes. Të dëgjosh zërin e një miku pa menduar çfarë do thuash më pas. Të lexosh një poezi jo për ta postuar, por për ta ndjerë. Të pranosh kur diçka të prek. Kur një melodi të sjell një kujtim që s’të lë të qetë. Sepse në fund, ndjeshmëria është ajo që na dallon. Jo sasia e fjalëve, por thellësia me të cilën i ndjejmë. Dhe në një botë që flet vazhdimisht, ndoshta më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për njerëz që ende preken. Ende qajnë. Ende besojnë tek heshtjet që kuptohen pa u thënë.