Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, sot mblidhet në orën 09:00 për të përzgjedhur pasuesin e Altin Dumanit në krye të SPAK-ut.
4 kandidatët që kanë aplikuar janë Elvin Gokaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu e Klodian Braho. Para anëtarëve të KLP-së do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme e më pas votohet për emrin.
Një ditë para mbledhjes së SPAK-ut, SHBA-të vlerësuan punën e Altin Dumanit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar se “vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve”.
Ndërkohë, delegacioni i BE-së në Tiranë dhe ambasada e Britanisë së Madhe bënë thirrje që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë e transparente, ndërsa mesazhi i tyre ishte për të “përzgjedhur një kandidat të pavarur, profesionist dhe të përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”.
Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK-ut, më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që e ka drejtuar që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar e pa të drejtë rikandidimi.
Zgjedhja e kreut të SPAK-ut bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit e të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij, etj.
Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se emrat e tjerë.
Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.