Kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi vendimin e shkarkimit të Erion Veliajt nga Qeveria duke e rikthyer në detyrë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Teliti tha se ky vendim është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit të mazhorancës, e cila refuzoi kërkesën e tyre për të pasuruar vendimin e shkarkimit nga Këshilli Bashkiak me shkeljet reale të shumta të kryera nga kryetari i bashkisë.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen Veliaj është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit të mazhorancës, e cila refuzoi kërkesën tonë për të pasuruar vendimin e shkarkimit nga Këshilli Bashkiak me shkeljet reale të shumta të kryera nga kryetari i bashkisë, si dhe për t’i garantuar atij të drejtën kushtetuese të mbrojtjes para Këshillit Bashkiak.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë dhe përgjegjësi, ne do vazhdojmë betejën për Tiranën kurdo qofshin zgjedhjet”, shkruan Teliti.
Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin në lidhje me kërkesën e Erion Veliaj. bëhet fjalë për pranim të plotë të kërkesës së Veliajt, pra praktikisht kthimin e tij në detyrë.
Sipas GJK, Veliaj rikthehet në postin e kryebashkiakut të Tiranës, duke rrëzuar vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra.
Anëtarët e GJK votuan 5 pro vendimit dhe tre kundër.
Kujtojmë se Erion Veliaj kërkoi rrëzimin e shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, si dhe rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj që dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale edhe në Bashkinë e Tiranës.