Kuvendi i Shqipërisë sot do të zhvillojë dy seanca plenare. E para, fillon në orën 10:00 dhe aty pritet që të diskutohet projektvendimi në lidhje me zgjedhjen e zv.kryetarëve të parlamentit, si dhe sekretariatet e përbërja e Byrosë së Kuvendit. Në seancën e dytë, në orën 17:00 do të diskutohet për të zgjedhur kryesitë e komisioneve të përhershme të Kuvendit, 11.
Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mblodhi në një takim konsultues drejtuesit e grupeve parlamentare të partive politike për strukturën e re dhe drejtimin e komisioneve.
Maxhoranca do të drejtojë 7 prej komisioneve ndërsa opozita 4. Por, Partia Demokratike kundërshtoi këtë strukturë të re, të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama më 11 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së. PD-ja akuzoi se nuk ka pasur konsultime dhe se maxhoranca i ka hequr opozitës Komisionin e Integrimit, që është drejtuar historikisht nga opozita.
Këto ankesa, Gazment Bardhi i përcolli edhe drejt ambasadave të huaja në Tiranë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi ndërhyrjen e përfaqësive të huaja, sipas tij për të ndaluar “miratimin në mënyrë të njëanshme të ndryshimeve të propozuara nga maxhoranca”.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi 16 ministrat e rinj të kabinetit qeveritar “Rama 4”. Tashmë dekretet i kalojnë Kuvendit, ku qeveria pritet të marrë votëbesimin në një seancë që sipas burimeve, mund të zgjasë dy ditë, të enjten e të premten. Pas miratimit, kabineti i ri do të duhet që të betohet mbi Kushtetutë, në mjediset e Presidencës.