Aktualitet Politikë

Kuvendi sot hap sesionin e ri, seanca plenare paraprihet nga Konferenca e Kryetarëve!

Pas një pauze disa javore, sot nis sesioni i ri parlamentar. Në orën 17:00, deputetët rikthehen në Kuvendin e Shqipërisë, për seancën e parë plenare pas mbylljes së pushimeve, duke hapur zyrtarisht punimet e sesionit të ri parlamentar.

Punimet parlamentare startojnë që në orët e paradites me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që zhvillohet në orën 11:00.

Në fokus të diskutimeve, programimi i punës parlamentare për javët në vijim, përfshirë shqyrtimin e projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 19 janar – 27 shkurt 2026, projektkalendarin e punimeve parlamentare deri më 6 shkurt 2026, si dhe projektkalendarin vjetor të kontrollit parlamentar. Në këtë mbledhje pritet gjithashtu miratimi i projektplanit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.

Në vijim, në orën 12:30, do të mblidhet Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku do të miratohet kalendari i veçantë për shqyrtimin e kërkesave të ardhura, si dhe planet e punës për kërkesën e Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi sigurinë në gjykata dhe për kërkesën e Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Dita parlamentare mbyllet me seancën plenare të Kuvendit, më 19 janar 2026, në orën 17:00. Rendi i ditës parashikon hapjen e punimeve, miratimin e procesverbalit të seancës së datës 18 dhjetor 2025, si dhe njoftime.