Bota

Ky vend do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën 16-vjeç!

Qeveria norvegjeze ka bërë të ditur se vendi nga 1 janari do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën moshën 16-vjeç, duke përmendur shqetësimet në rritje për rreziqet shëndetësore të lidhura me konsumin e tepërt. Ministri norvegjez i Shëndetësisë, Jan Christian Vestre, tha se vendimi ka për qëllim mbrojtjen e të rinjve. “E dimë që konsumi i tepërt i pijeve energjike çon në shqetësim, probleme me gjumin dhe vështirësi në përqendrim. Mund të çojë gjithashtu në dëmtime të sistemit kardiovaskular dhe sistemit nervor qendror”-tha ai.

Qeveria e paraqiti propozimin për herë të parë në pranverë, duke e nxjerrë atë për konsultim. Drejtoria e Shëndetësisë mbështeti planin, ndërsa Shoqata Mjekësore Norvegjeze dhe Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik kërkuan një kufi moshe më të rreptë prej 18-vjeç. Kreu i bordit profesional të Shoqatës Mjekësore, Stale Onsgard Sagabraten, tha se është zhgënjyese që qeveria zgjedh të injorojë këshillat e qarta profesionale dhe zgjedh një kufi moshe prej 16-vjeç.

Vestre e mbrojti këtë veprim, duke theksuar se qeveria bëri një vlerësim gjithëpërfshirës. Vendimi ka tërhequr kritika edhe nga industria e pijeve. Erlend Vagnild Fuglum, drejtor i Shoqatës Norvegjeze të Birrave dhe Pijeve, tha se masa ishte e panevojshme.