Showbiz Sport

Kylian Mbappe në Madrid, cila është jeta luksoze e yllit francez në rezidencën elitare La Finca?

Kalimi i Kylian Mbappe nga Paris Saint-Germain te Real Madrid verën e kaluar, si lojtar i lirë, ishte një nga transferimet më të bujshme në futbollin evropian.

Pas disa vitesh spekulime dhe interes nga “Los Blancos”, sulmuesi francez më në fund veshi fanellën e skuadrës spanjolle, duke u bërë automatikisht një nga lojtarët më të paguar në Evropë.

Sipas mediave spanjolle, Mbappe përfiton një pagë prej 31.2 milionë euro në vit, që përkthehet në rreth 2.67 milionë euro në muaj. Me këtë nivel të të ardhurave, ishte e natyrshme që jeta e tij në Madrid të kombinohej me një stil jetese luksoz, përfshirë edhe një rezidencë të denjë për një superyll të futbollit.

Mbappe ka zgjedhur të jetojë në zonën elitare “La Finca”, në lagjen Pozuelo de Alarcón – e njohur si “Beverly Hills-i” i kryeqytetit spanjoll.

Ai ndan të njëjtën lagje me bashkëlojtarin Jude Bellingham dhe shumë personalitete të tjera të njohura.

La Finca është një zonë ekskluzive e njohur për sigurinë e lartë dhe privatësinë që ofron. Me roje sigurie 24 orë në ditë, hyrje të kontrolluara dhe sisteme moderne monitorimi, ajo është kthyer në destinacionin ideal për VIP-at që kërkojnë qetësi dhe mbrojtje nga syri i publikut.

Kjo zgjedhje për Mbappe vjen në një moment jo të lehtë për të. Pas eliminimit të Real Madridit nga Arsenal në Champions League dhe përjashtimit të tij të fundit, sulmuesi francez ka qenë në qendër të kritikave nga tifozët.

Megjithatë, në La Finca, 25-vjeçari gjen paqen dhe privatësinë e nevojshme për të menaxhuar presionin dhe për të rifokusuar energjitë në sezonin e ardhshëm.

Rezidenca në këtë zonë luksoze është vetëm një pjesë e jetës magjepsëse që Mbappe po ndërton në Madrid, ndërsa përgatitet të shkruajë kapitullin e ri të karrierës së tij me fanellën e Real Madridit.