Lauren Sanchez, gruaja e miliarderit Jeff Bezos, u shfaq këtë javë në një pamje krejt ndryshe nga ajo me të cilën publiku është mësuar.
55-vjeçarja, e njohur për stilin glamuroz dhe veshjet luksoze, zgjodhi një kombinim minimalist me një këmishë të bardhë të freskët dhe xhinse të zbehta gjatë një vizite në Connecticut.
Dalja e saj përkoi me një arritje të rëndësishme: kompania prestigjioze “Scholastic” e shpalli Sanchez si “Kampione të Shkrim-Leximit” për programin “United States of Readers”, një nismë që synon t’u sigurojë fëmijëve të shkollave me burime të kufizuara akses në libra cilësorë.
Gjatë vizitës në shkollën fillore Winthrop STEM, Sanchez u takua me nxënësit, lexoi fragmente nga libri i saj për fëmijë “The Fly Who Flew To Space” dhe foli për rëndësinë e leximit.
Si nënë dhe si autore, e di fuqinë që kanë librat për të hapur botë të reja për fëmijët
-tha ajo, duke shtuar se është krenare që përmes personazhit të saj Flynn po nxit imagjinatën dhe krijimtarinë tek gjeneratat e reja.
Përmes këtij roli, Sanchez theksoi se synon të krijojë mundësi të barabarta për fëmijët, duke u dhënë atyre mjetet për të ëndërruar më shumë dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Ajo e cilësoi këtë nismë një “aventurë të re frymëzuese” që do të zgjasë për shumë kohë.
Ky hap i ri, i kombinuar me një paraqitje të thjeshtë dhe të përulur, tregoi një anë tjetër të Lauren Sanchez, e cila dha një mesazh të qartë: fuqia e leximit dhe e dijes qëndron mbi çdo shfaqje luksi.