Leonardo DiCaprio ka munguar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit në Palm Springs, ndonëse ishte parashikuar të nderohej me çmimin prestigjioz Desert Palm Achievement Award për interpretimin e tij në filmin “One Battle After Another”.
Aktori i njohur nuk arriti të marrë pjesë në event për shkak të problemeve të papritura të udhëtimit. Sipas organizatorëve, DiCaprio nuk mundi të largohej nga ishulli St. Barths, ku po shijonte pushimet në shoqërinë e partneres së tij Vittoria Ceretti, Tom Brady dhe disa miqve të afërt.
Arsyeja lidhet me kufizimet e trafikut ajror në rajonin e Karaibeve, të shkaktuara nga tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës.
Një zëdhënës i Festivalit të Filmit në Palm Springs sqaroi situatën gjatë ceremonisë:
Leonardo DiCaprio nuk mund të na bashkohet sonte për shkak të vështirësive të papritura në udhëtim dhe kufizimeve të hapësirës ajrore. Edhe pse do të na mungojë prania e tij, ne jemi të nderuar të vlerësojmë punën dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në kinematografi. Talenti dhe përkushtimi i tij mbeten frymëzim për të gjithë.
Megjithatë, aktori ishte i pranishëm në mënyrë virtuale. Organizatorët transmetuan një video-mesazh të DiCaprios, ku ai theksoi rëndësinë e filmave si përvoja kolektive në sallat e kinemasë.
Filmat janë ende të menduar për t’u përjetuar së bashku. Në këtë moment, ky besim është më i rëndësishëm se kurrë
-u shpreh ai.
Në filmin “One Battle After Another”, DiCaprio ndan ekranin me emra të njohur si Chase Infinity, Teyana Taylor, Benicio del Toro, Sean Penn dhe Regina Hall, një produksion që ka marrë vlerësime të shumta dhe çmime të rëndësishme.