Aktualitet

Lezha vendos çmimin e plazheve, 300 lekë në ato publike dhe deri në 2000 lekë te privatet!

Për të qëndruar në plazhet publike edhe në Lezhë qytetarët do të duhet të paguajnë për çadra dhe shezlongë nga 300 lekë.

Po ashtu këshilli bashkiak ka miratuar me shumicë votash vendimin për të përcaktuar çmime të diferencuara sipas zonës dhe nivelit të shërbimit, që shkon deri në 2000 lekë në plazhet private.

Sipas kryetarit të bashkisë, Pjerin Ndreu, unifikimi i tarifave synon gjithashtu të shmangë abuzimet e konstatuara në sezonet e mëparshme, duke vendosur rregulla të qarta edhe për strukturat hoteliere që operojnë në vijën bregdetare.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës në këshill, i cilësuan tarifat të larta, duke argumentuar se ato mund të rëndojnë mbi buxhetin e pushuesve.

LEXO EDHE: 700 lekë për plazhet publike në Vlorë/ Vendimi miratohet nga këshilltarët e majtë bashkiakë, opozita del kundër

Pavarësisht debatit, autoritetet lokale bëjnë me dije se 30% e hapësirës përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit dhe Tales do të mbetet pa pagesë, duke garantuar akses për të gjithë qytetarët, përfshirë ata me mundësi më të kufizuara ekonomike.

Më herët edhe këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për përdorimin e plazheve publike, një vendim që ka shkaktuar debat mes këshilltarëve.

Projektvendimi u votua nga shumica e këshilltarëve të majtë, ndërsa opozita doli kundër. Në votim u vu re edhe një devijim nga radhët e mazhorancës, pasi një këshilltare socialiste votoi kundër, duke mos mbështetur qëndrimin e grupit. Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës argumentuan se vendosja e tarifës lidhet me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike bregdetare, megjithëse detaje të plota mbi zbatimin e saj nuk u bënë publike gjatë mbledhjes.

LEXO EDHE: Aksident tek Kepi i Rodonit, turisti 45-vjeçari rrëzohet nga motorri dhe vdes në vend!