Bota Health & Beauty

Lufta në Iran po shtrenjton ilaçet në Britaninë e Madhe!

Lufta në Iran ka rritur çmimin e ilaçeve të përdorura gjerësisht në Angli, duke përfshirë qetësuesit e dhimbjeve dhe ilaçet për alergjitë sezonale.

Farmacitë komunitare po u kërkojnë klientëve 20-30% më shumë për paracetamolin se në shkurt, sipas Shoqatës Kombëtare të Farmacistëve (NPA) dhe shumë prej tyre kanë mbetur pa disa doza të caktuara të aspirinës dhe co-codamol-it.

Çmimet pa recetë për tabletat e cetirizinës, ilaç i zakonshëm për rinitin alergjik, vlerësohet gjithashtu se janë rritur 20-30% në të njëjtën periudhë.

Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës që nga fillimi i luftës, gati tetë javë më parë ka rritur kostot e prodhimit dhe transportit për furnizuesit e ilaçeve. Këto kanë kaluar edhe te farmacitë, që po paguajnë 40-50% më shumë për porositë në magazinë.

Konflikti ka dyfishuar edhe kostot e transportit ajror. Një në pesë ilaçe të NHS-së vjen nga ajri dhe ka penguar furnizimet me derivate të naftës nga Gjiri, që përdoren për të prodhuar shumë ilaçe të zakonshme, duke përfshirë paracetamolin, aspirinën e ko-kodamolin.

Prodhuesit e barnave gjenerike pa patentë që operojnë me marzhe të ulëta kanë filluar të rrisin çmimet e tyre, gjë që po rrit faturën e ilaçeve të NHS-së, si dhe çmimet në arkë.

Disa farmaci kanë ndaluar shitjen e aspirinës pa recetë, pjesërisht për shkak të kufizimeve të furnizimit që filluan para luftës në Iran. Mungesat e përkohshme të ilaçeve janë të zakonshme, por mund të bëhen më serioze nëse ngushtica e Hormuzit, një rrugë kryesore transporti për petrokimikatet, nuk rihapet së shpejti.

Personat që vuajnë nga alergjitë mund të përballen me më shumë rritje çmimesh deri në maj ose qershor, kur të vijë sezoni kryesor i alergjive.

Farmacitë komunitare fitojnë 90% të parave të tyre nga shpërndarja e recetave të NHS-së dhe rimbursohen për shitjen e tyre me çmime fikse.

Megjithatë, nëse qeveria pranon se një artikull është rritur ndjeshëm në kosto, ajo mund të rrisë shumën që farmacitë paguajnë.