Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të zvogëlojë intensitetin e sulmeve izraelite në Liban për të ndihmuar në sigurimin e armëpushimit dyjavor SHBA-Iran, raporton NBC.
Si pasojë e bombardimeve izraelite në Liban të paktën 203 persona kanë vdekur dhe më shumë se 1.165 të tjerë janë plagosur, duke shkaktuar një reagim të ashpër ndërkombëtar. Në një nga këto sulme ajrore, Izraeli tha sot se kishte vrarë Ali Yusuf Harshi-n, sekretarin personal dhe nipin e zëvendësshefit të Hezbollahut, Naim Qassem.
Për shkak të këtyre sulmeve, Irani bllokoi dje kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Mediat raportojnë sot se Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë.
Ndërkohë në Iran turma të mëdha njerëzish u mblodhën sot në rrugët e Teheranit për të përkujtuar Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili mbush 40 ditë që ka vdekur.
Trump në një deklaratë në Truth tha se ushtarët, anijet dhe avionët luftarakë do të qëndrojnë në Lindjen e Mesme derisa marrëveshja të respektohet.
“Të gjitha anijet, avionët, armët dhe personeli ushtarak amerikan do të qëndrojnë “në vend” derisa të arrihet një marrëveshje e plotë me Iranin, tha Trump në një postim në rrjetet sociale . Nëse nuk arrihet një marrëveshje, “atëherë fillojnë sulmet, më të mëdha dhe më të forta që mund të keni parë ndonjëherë më parë”, shkroi ai.
Trump po ashtu ka sulmuar sërish sot NATO-n për mungesën e mbështetjes ndaj SHBA-ve në luftën me Iranin.
“Këta njerëz nuk kanë kuptuar asgjë, përfshirë NATO-n tonë shumë zhgënjyese, përveç kur ne ushtrojmë presion mbi ta”, shkroi ai në Truth.
Pas këtyre sulmeve të vazhdueshme një burim i afërt me NATON tha për ANSA-n se Trump vetëm flet dhe nuk ka bërë asnjë përparim praktik.
“Deri më tani, nuk është vënë re asnjë ndryshim kursi nga Shtetet e Bashkuara; fjalët e Donald Trump janë vetëm fjalë”, citohet të ketë thënë ai.