Rajoni

Mallra kontrabandë nga Greqia, arrestohet 48-vjeçari!

Një 48-vjeçar u arrestua në flagrancë nga policia në aksin rrugor Pogradec – Qafë Thanë, duke transportuar me automjet, 495 steka me cigare, pa pullë fiskale.  Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, i arrestuari me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe të kontrabandës dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Greqia. Në bazë të kontrolleve të kryera, blutë sekuestruan stekat me cigare, automjetin dhe dy celularë.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Pogradec – Qafë Thanë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. H. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 495 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. H., 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, informoi sot policia.
Operacioni u kodua “Smoking kills”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.