Pezullim i rëndë për Pep Guardiolan. Ndaj trajnerit spanjoll të skuadrës së Mançester Sitit, është marrë një ndëshkim, si pasojë e kartonit të verdhë që mori në ndeshjen e “FA Cup” ndaj Njukasëllit. Në një moment, Guardiola humbi qetësinë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, teksa protestoi ndaj gjyqtarëve për një ndërhyrje të Kieran Tripier ndaj lojtarit të tij, Zherémi Doku.
Trajneri spanjoll u përball me zyrtarin e katërt Ljuis Smith dhe më pas u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari kryesor Sam Barrot. Në këtë mënyrë, përderisa ishte kartoni i 6-të i verdhë këtë sezon, ai do të mungojë në ndeshjet e kampionatit kundër Çelsi dhe Uest Hem. Por do të jetë në finale e “Carabao Cup” me Arsenalin. Kujtojmë se Siti, u kualifikua në çerekfinale të “FA Cup” pasi mposhti Njukasëllin me rezultat 1-3 në “St.James Park”, pas një ndeshje shumë të luftuar. Protagonisti absolut i sfidës së të shtunës në mbrëmje ishte Omar Marmush, i cili shënoi dy gola dhe udhëhoqi skuadrën e Pep Guardiolës drejt suksesit.
Njukasëll e nisi më mirë takimin dhe arriti të kalojë në avantazh me Harvi Barns. Sulmuesi përfitoi nga një pasim i saktë i Sandro Tonalit, i shpëtoi mbrojtjes dhe me një goditje të bukur me hark dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur atmosferën në “St James’ Park”. Megjithatë, goli i vendasve zgjoi reagimin e menjëhershëm të Mançester Sitit. Skuadra e Guardiolës mori kontrollin e lojës dhe gjeti barazimin me Savinjon, i cili shfrytëzoi në zonë një top të ardhur nga Jeremy Doku dhe e shtyu në rrjetë për 1-1.
Në pjesën e dytë, Siti u shfaq edhe më dominues. Goli i avantazhit erdhi nga Omar Marmush, i cili u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer nga Matheus Nunes dhe realizoi nga afër për 2-1. Vetëm pak minuta më vonë, egjiptiani goditi sërish, këtë herë me një super goditje nga jashtë zone, duke vulosur fitoren 3-1 për Sitin.
Kështu, “Citizens” arritën në çerekfinalet e “FA Cup” për sezonin e tetë radhazi, ndërsa Njukasëll i dha fund ëndrrës për të shkuar në Europë sezonin e ardhshëm, përmes këtij kompeticioni. Guardiola mund të thuhet se mori përgjigjen që kërkonte nga rotacioni i madh që bëri në formacion. Pavarësisht shumë ndryshimeve, ekipi tregoi karakter, cilësi dhe forcë reagimi, duke përmbysur sfidën në një fushë shumë të vështirë. Pas kësaj ndeshjeje, Njukasëll tani duhet të përqendrohet te përballja e madhe kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve, ndërsa Mançester Siti do të mendojë për sfidën evropiane ndaj Real Madridit.
LEXO EDHE: