Health & Beauty Lifestyle

Masazhi të duket luks? Ja çfarë thonë studimet për trupin, mendjen dhe gjumin tënd!

Masazhi shpesh shihet si “kënaqësi spa”, por gjithnjë e më shumë kërkime po tregojnë se ai ka ndikim real në shëndetin fizik dhe emocional. Sipas një studimi të National Health Interview Survey 2022 në SHBA, rreth 8.5% e amerikanëve kanë deklaruar se përdorin masazhin “për shëndetin e përgjithshëm”.

Por çfarë do të thotë në të vërtetë kjo? Shëndet fizik, mendor apo të dyja bashkë? Pikërisht kjo e bën masazhin të vështirë për t’u studiuar, por edhe kaq tërheqës.

Ekspertët shpjegojnë se masazhi nuk vepron vetëm mbi muskujt, por është një përvojë holistike, prek trupin, emocionet dhe sistemin nervor njëkohësisht.

Prandaj sot ai po futet gjithnjë e më shumë edhe në spitale dhe qendra shëndeti, jo vetëm në qendra estetike.

Çfarë i bën masazhi trupit?

Në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në New York, terapisti i prekjeve Rocco Caputo përdor masazhin për pacientët onkologjikë. Ai tregon se masazhi i ndihmon njerëzit të rilidhen me trupin e tyre dhe t’i futë në një gjendje “parasimpatike”, pra në modin e qetësisë dhe rikuperimit, ku trupi çliron tensionin dhe ul nivelin e stresit.

Në një studim me pacientë me kancer në faza të avancuara, masazhi u shoqërua me reduktim afatgjatë të dhimbjes, duke qenë pjesë e një projekti që synon futjen e masazhit dhe akupunkturës në programet e trajtimit të kancerit në gjithë SHBA.

Edhe kërkime të tjera mbështesin idenë se masazhi mund të ndihmojë te dhimbjet kronike.

Në një studim të fundit (ende në fazë pre-print), veteranë që morën masazh dy herë në javë për 12 javë, raportuan ulje të intensitetit të dhimbjes, dhe efektet pozitive zgjatën për rreth tre muaj pas përfundimit të trajtimit.

Në një tjetër studim, pas 10 seancash masazhi, pacientët pësuan përmirësim të dukshëm të dhimbjes së shpinës, veçanërisht ata mbi 50 vjeç. Ekspertët mendojnë se masazhi mund të ndihmojë në shumë lloje dhimbjesh, madje ndërhyrja e hershme mund të parandalojë që disa dhimbje të kthehen kronike.

Megjithatë, disa studiues theksojnë se duhen më shumë prova nga studime të mëdha dhe të kontrolluara, për të kuptuar saktë sa efektiv është masazhi për dhimbjen dhe cilat teknika funksionojnë më mirë.

Në një studim nga Universiteti i Illinois në Çikago, një grup pjesëmarrësish bëri ushtrime me këmbë dhe më pas mori masazh në këmbë. Rezultati interesant: u përmirësua qarkullimi i gjakut jo vetëm në këmbë, por edhe në krah. Kjo sugjeron se masazhi mund të ndikojë në të gjithë trupin, jo vetëm aty ku preket.

Studiuesit vunë re se masazhi përmirëson funksionin vaskular (aftësinë e enëve të gjakut për të rregulluar qarkullimin dhe presionin) dhe ul dhimbjen e muskujve pas ushtrimeve.

Ende nuk është e qartë nëse efektet vijnë më shumë nga manipulimi fizik i muskujve apo nga reagimi emocional ndaj prekjeve relaksuese, ndoshta një kombinim i të dyjave.

Përfitimet emocionale, më shumë se thjesht “ndjehem mirë”

Sipas mjekes Carla Kuon, nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, është pothuajse e pamundur të ndash fizikën nga emocionet kur flitet për masazh. Prekja e këndshme rrit çlirimin e endorfinave, substanca natyrale të trupit që qetësojnë dhimbjen dhe përmirësojnë humorin.

Studime të ndryshme kanë treguar se prekja e sigurt dhe e dëshiruar mund të ulë ankthin dhe depresionin, dhe të rrisë mirëqenien emocionale.

Terapistja dhe studiuesja Anne Weisman, e cila ka punuar me persona që jetojnë me HIV/AIDS, ka vënë re se masazhi u jep klientëve një ndjenjë të re lidhjeje me trupin dhe njerëzillëkun e tyre.

Në studimet e saj, pjesëmarrësit raportonin motivim më të madh, reziliencë dhe një ndjenjë se “po kujdeseshin sërish për veten”.

Kush përfiton më shumë nga masazhi?

Për mjeken Kuon, masazhi ishte një mënyrë për të ofruar lehtësim nga dhimbja pa u mbështetur tek opioidët.

Në vitin 2018, në një program masazhi për pacientët e rritur, pjesëmarrësit raportuan më pak:

-dhimbje

-tension

-ankth

-lodhje

-gjumë më të mirë dhe ndjesi më të fortë mirëqenieje.

Sipas saj, pothuajse kushdo mund të përfitojë nga masazhi, por veçanërisht ata që nuk kanë shpesh kontakt të shëndetshëm fizik me të tjerët, si personat me lodhje kronike, Long Covid, ose ata që jetojnë të izoluar.

Edhe profesorja Munk pajtohet se pikërisht ata që përjetojnë më shumë dhimbje, kufizime fizike dhe vështirësi funksionale, shpesh marrin edhe përfitimet më të mëdha. Po nëse nuk keni mundësi për masazh profesional?

Masazhi profesional mund të jetë i kushtueshëm dhe jo gjithmonë i arritshëm. Por ekspertët thonë se forma të thjeshta të prekjes terapeutike janë po aq të rëndësishme:

-masazh vetjak i qafës, duarve, kokës

-masazh i këmbëve apo shputave në fund të ditës

-përdorimi i topave masazher, foam roller apo jastëkëve ergonomikë në shtëpi

Terapisti Caputo ka zhvilluar madje edhe video me udhëzime që njerëzit mund t’i ndjekin në shtëpi për dhimbje koke ose të duarve, fillimisht për fëmijë, por të vlefshme për të gjitha moshat.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se masazhi duhet të shihet si pjesë e sistemit të kujdesit shëndetësor, jo thjesht si “mjekësi alternative”.

Nëse do të mbulohej më shumë nga siguracionet dhe paketat shëndetësore, do të ishte shumë më i aksesueshëm për njerëzit që kanë realisht nevojë.