Bota

Mashtrim i sofistikuar, kapet 72 milion paund drogë në Britani!

Oficerët e Forcës Kufitare britanike rrezikuan të përballeshin me një faturë të madhe kompensimi kur vendosën të çanin një pajisje industriale pasi mbërriti në një port në Mbretërinë e Bashkuar. Duke përdorur përvojën e tyre për të zbuluar dërgesa të dyshimta, përdorën një prerëse metalike për të ndarë në copa dy gjeneratorë, me vlerë 700 mijë paund.

Por, ky rrezik u shpërblye kur ata zbuluan se makineritë ishin në fakt një mashtrim i sofistikuar nga trafikantët e drogës. Pasi pajisjet u çmontuan, oficerët gjetën kokainë me vlerë 72 milion paund të fshehur brenda.

Një ton drogë u rikuperua nga dy pajisjet, të cilat kishin mbërritur në portin “London Gateway”, në bregun verior të lumit Thames në Thurrock. Dërgesa kishte mbërritur nga një vend i paidentifikuar në Amerikën e Jugut.

Kapja tregon se si grupet kriminale të organizuara po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të shmangur zbulimin. Trafikantët e dinin që Forca Kufitare do të përballej me një faturë qindra mijëra paundësh nëse dëmtonte pajisjet, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Mike Tapp, u shpreh se “trafikantët e drogës menduan se kërcënimi i një fature të madhe dëmesh do ta trembte Forcën Kufitare dhe do ta ndalonte nga sekuestrimi i kësaj sasie kokaine”.

Pas zbulimit, Agjencia Kombëtare e Krimeve nisi një hetim dhe një i dyshuar është tashmë i akuzuar.