Mbi 12 mijë rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar nga policia e Shkodrës gjatë një operacioni në zonën e Bajzës në Malësi të Madhe. Një pjesë e bimëve narkotike ishte mbjellë në një mjedis të hapur dhe një pjesë tjetër në një serë aty afër në fshatrat Alijaj dhe Jeran.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kultivimit të kanabisit dhe personave të përfshirë, ndërkohë që aktualisht 14 të dyshuar janë vënë në pranga e 10 të tjerë rezultojnë në kërkim.
Të arrestuarit për këtë aktivitet kriminal janë Elez e Muho Çulaj, Fatmir e Drita Senaj, Rezarta, Kujtim e Agron Laçaj, Elfajed e Çun Halaj, Adrian, Gjelin, Miranda e Pjetër Çekaj, si edhe një 17- vjeçar.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 12 mijë e 597 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Kannabis Sativa, në fshatrat Alijaj e Jeran, pranë banesave të tyre. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa gjatë kontrolleve në banesa u gjetën edhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike në faza të ndryshme përpunimi.
Ditët e fundit, policia ka goditur edhe dy raste të tjera në Malësinë e Madhe, me 2 mijë e me afro 5 mijë rrënjë kanabis.