Nikolin Huba mbeti i plagosur paraditen e sotme në Shkodër. Ai ka marrë dy plumba në këmbë, për shkaqe që ende nuk dihen.
Mësohet se 54 vjeçari drejt të cilit është qëlluar me armë zjarri, është ish-kryetari i Partisë Socialiste në Vaun e Dejës. Nga Policia e Shkodrës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth 10:15, në afërsi të shkollës Pyjore. Nikolin Huba është dërguar në spitalin e qytetit dhe ndodhet jashtë rrezikut, por vazhdon të jetë në mbikqyrjen e mjekëve dhe po merr ndihmë mjekësore.
Raporti zyrtar i policisë së shtetit
Më datë 04.09.2021, rreth orës 10:15, në afërsi të shkollës Pyjore, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën shtetasi N. H., 54 vjeç, banues Vau Dejës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të gatshëm shkoi në vendngjarje dhe grumbulloi provat rrethanore të krimit për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.
Pamjet që sjell “BalkanWeb” tregojnë momentin kur 54-vjeçari Nikolin Huba sapo është qëlluar me plumba. Ai shihet i shtrirë në tokë, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ambulanca për të marrë të plagosurin.