Romeo dhe Cruz Beckham kanë treguar se lidhja mes tyre mbetet e fortë, teksa u panë duke shijuar një dalje dyshe me partneret e tyre në Paris, në kulmin e Javës së Modës.
Dalja e tyre publike vjen vetëm pak ditë pasi vëllai i madh, Brooklyn Beckham, tronditi rrjetin me deklarata të ashpra ndaj familjes, duke përfshirë edhe akuza direkte ndaj vëllezërve të tij.
Romeo, 23 vjeç, u shfaq në shoqërinë e partneres Kim Turnbull, ndërsa Cruz, 20 vjeç, ishte me të dashurën Jackie Apostel, 30 vjeçe.
Të katërt u fotografuan teksa largoheshin nga hoteli i tyre në Paris, duke dhënë përshtypjen se po linin pas krahëve tensionet familjare.
Pamja e tyre e qetë dhe e afërt kontraston fort me deklaratën bombë të Brooklyn-it, i cili vetëm pak ditë më parë pretendoi se vëllezërit e tij “ishin dërguar për ta sulmuar në rrjetet sociale” dhe se më pas e kishin bllokuar papritur gjatë verës së kaluar.

Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se nuk dëshiron asnjë pajtim me prindërit David dhe Victoria Beckham, të cilët i akuzon për ndërhyrje në martesën e tij me Nicola Peltz.
Ndërkohë, Romeo dhe Cruz duket se janë përqendruar te karriera dhe jeta personale. Romeo sfiloi në pasarelë për Willy Chavarria vetëm dy ditë më parë, duke mos lejuar që përplasjet familjare të errësojnë momentet e tij profesionale.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Victoria Beckham ndihet e tradhtuar nga deklaratat e Brooklyn-it, duke theksuar se ajo ka bërë gjithçka për ta mbrojtur dhe për ta pranuar Nicola-n si pjesë të familjes. Sipas tyre, dizajnerja zakonisht shmang konfliktet familjare, por këtë herë e konsideron situatën të padrejtë.
Teksa Brooklyn vazhdon të flasë hapur për atë që e quan “prioritet i imazhit publik mbi familjen”, dalja e Romeos dhe Cruz-it në Paris shihet nga shumëkush si një reagim i heshtur, por domethënës, në një nga përçarjet më të bujshme të familjes Beckham.