Si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të modës, e hëna e parë e majit shënon hapjen e ekspozitës vjetore të Institutit të Kostumit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York dhe spektakli i modës në shkallët ikonike të muzeut është një pjesë thelbësore e magjisë së Met Gala-s. Më poshtë, Colleen Ross zbulon gjithçka që duhet të dini për Met Gala 2025, nga tema dhe bashkë-drejtuesit e famshëm, deri te vetë ekspozita.
Kur zhvillohet Met Gala 2025?
Met Gala do të zhvillohet të hënën, më 5 maj 2025, në Muzeun Metropolitan të New York-ut, në kuadër të një ekspozite që eksploron historinë e dandizmit të zi, nga shekulli i 18-të deri në ditët e sotme, si dhe rëndësinë e veshjes dhe stilit në formësimin e identiteteve të zeza në diasporën atlantike. Duke folur për Vogue, kuratorja e ftuar Monica Miller, drejtuese e Departamentit të Studimeve Afrikane në Barnard College, Columbia University, e përshkroi dandizmin e zi si “një strategji dhe mjet për të rimenduar identitetin, për të rishpikur veten në një kontekst të ri. Një mënyrë për të shtyrë kufijtë – veçanërisht gjatë periudhës së skllavërisë, mbi atë se kush dhe çfarë llogaritet si njeri.”
Cila është tema e Met Gala 2025?
Tema e Met Gala-s për vitin 2025 është Superfine: Tailoring Black Style, e frymëzuar nga libri i Miller-it të vitit 2009 “Slaves to Fashion: Black Dandyism and the Styling of Black Diasporic Identity”. Kodi i veshjes për eventin është shpallur si “Tailored for You”, në nder të mjeshtërisë së jashtëzakonshme në veshjet e meshkujve që përfshihen në ekspozitë – ndaj pritet të shohim shumë kostume të qepura në mënyrë të sofistikuar dhe homazhe kreative për temat kryesore të shfaqjes.
Kush janë bashkë-drejtuesit e Met Gala 2025?
Bashkë-drejtuesit e Met Gala 2025 janë Pharrell Williams, Colman Domingo, Lewis Hamilton dhe A$AP Rocky, të cilët do t’i bashkohen Anna Wintour dhe bashkë-drejtuesit nderi LeBron James, për të mirëpritur të ftuarit në ekspozitën Superfine: Tailoring Black Style. Kuratori përgjegjës i Institutit të Kostumit, Andrew Bolton, për bashkë-drejtuesit e këtij viti, tha për Vogue:
Janë të gjithë burra që nuk kanë frikë të rrezikojnë me paraqitjen e tyre. Ata përvetësojnë format klasike, por gjithashtu i rikrijojnë dhe i dekonstruojnë në mënyra të reja e interesante. Mendoj se burrat e zinj dhe dizajnerët e zinj janë në pararojë të këtij rilindjeje të re në modën mashkullore.
Komiteti pritës i këtij viti përfshin një listë të gjatë emrash me ndikim nga fusha të ndryshme, si arti, muzika, filmi, letërsia dhe sporti – ndër ta: Chimamanda Ngozi Adichie, Spike Lee, Grace Wales Bonner, Olivier Rousteing, Simone Biles, Regina King, Ayo Edebiri, Doechii, Tyla, Janelle Monáe dhe Dapper Dan.
Kush tjetër pritet të marrë pjesë në Met Gala 2025?
Edhe pse mungoi në eventin e vitit të kaluar, Rihanna e ka konfirmuar pjesëmarrjen për Met Gala 2025, së bashku me partnerin e saj (dhe bashkë-drejtuesin e Met Gala), A$AP Rocky. Duke folur për Entertainment Weekly në tetor, këngëtarja dhe sipërmarrësja tha se me shumë gjasa do të marrë ndihmë nga Rocky për të zgjedhur veshjen e duhur. Mos ndoshta do të shfaqen me pamje të koordinuara? Nëse një listë “e rrjedhur” e të ftuarve, e publikuar nga një llogari jozyrtare – rezulton e saktë, atëherë mund të presim të shohim edhe emra si Zendaya, Lady Gaga, Ariana Grande dhe Sabrina Carpenter në natën më të madhe të modës.
Nga ana tjetër, një çift që nuk do të shfaqet këtë vit është Blake Lively dhe Ryan Reynolds. Sipas TMZ, burime pranë çiftit kanë konfirmuar se vendimi për të mos marrë pjesë është marrë shumë përpara se Lively të padiste regjisorin Justin Baldoni në dhjetor. Pjesëmarrja e tyre e fundit në Met Gala ishte në vitin 2022, kur ishin bashkë-drejtues së bashku me Lin-Manuel Miranda dhe Regina King, të veshur me krijime të personalizuara nga Atelier Versace dhe Ralph Lauren Purple Label.
Kur hapet ekspozita “Superfine: Tailoring Black Style”?
Ekspozita hapet zyrtarisht të njëjtën ditë me Met Gala-n – më 5 maj 2025 – dhe është një eksplorim i pasur vizual i mënyrave në të cilat veshja ka ndihmuar në krijimin dhe afirmimin e identitetit të komuniteteve të zeza në një kontekst historik, kulturor dhe bashkëkohor.
Çfarë është saktësisht Met Gala?
Met Gala u themelua në vitin 1948 nga publicistja e modës Eleanor Lambert si një mbrëmje bamirësie për Institutin e sapokrijuar të Kostumit. Por ishte redaktorja e Vogue Diana Vreeland ajo që në vitin 1972 e shndërroi eventin në një gala me temë të përvitshme dhe me të ftuar yje të famshëm. Që nga viti 1995, redaktorja e Vogue në SHBA Anna Wintour ka qenë në krye të organizimit të eventit, duke vendosur gjithçka, nga lista e të ftuarve dhe renditja e ulëseve, deri te miratimi i pamjeve të yjeve në tapetin e kuq.
A ju kujtohen disa nga veshjet më ikonike të Met Gala-s?
Shkallët e Muzeut Metropolitan kanë dhuruar momente të paharrueshme të stilit ndër vite. Fustani “i zhveshur” është në modë sot, por ishte Cher që e veshi e para në vitin 1974, me një fustan transparent të dizajnuar nga Bob Mackie. Në 2006, Sarah Jessica Parker solli një pamje punk me tartan, dizajnuar nga Alexander McQueen, për temën AngloMania: Tradition and Transgression in British Fashion. Supermodelet Gisele Bündchen, Naomi Campbell dhe Amber Valletta kanë shkëlqyer në krijime të Versace ndër vite, ndërsa ish-bashkë-drejtoresha e Met Gala Michaela Coel dhe Kim Kardashian kanë lënë gjurmë në pamje të personalizuara nga Schiaparelli. Në vitin 2023, Rihanna dhe A$AP Rocky u paraqitën me vonesë, por me pamje spektakolare nga Gucci dhe Valentino, duke e vjedhur vëmendjen e mbrëmjes.
Çfarë ndodhi në Met Gala 2024?
Tema e Met Gala 2024 ishte Sleeping Beauties: Reawakening Fashion, që eksploronte nocionet ciklike të rilindjes dhe ripërtëritjes, duke përdorur natyrën si metaforë për përkohshmërinë e modës. Ekspozita përfshinte objekte të rralla nga koleksioni i përhershëm i Institutit të Kostumit, me dizajne nga Stella McCartney, Saint Laurent dhe Alexander McQueen. Bashkë-drejtuesit e asaj mbrëmjeje ishin Zendaya, Jennifer Lopez, Bad Bunny dhe Chris Hemsworth, ndërsa Ayo Edebiri dhe Greta Lee bënë bujë me fustane të personalizuara nga Loewe.