Rajoni

Minim i Dejtonit, Amerika shpall të tjerë “non grata” në Bosnjë!

Shtetet e Bashkuara shpallën “non grata” 8 individë për organizimin dhe zbatimin e planit lidhur me kremtimin e Ditës së Republikës Serbe në Bosnjë më 9 janar, edhe pse e shpallur jokushtetuese nga institucionet e vendit dhe është dënuar nga shtetet perëndimore. Departamenti amerikan i Shtetit tha se personat e përfshirë në vendim “përkrahën agjendën përçarëse” të Presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik.

Republika Serbe në Bosnjë kremtoi 9 janarin me një parakalim në qendër të Banjalukës, kryeqytetit të këtij entiteti, megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kundër festimeve. Më 9 janar 1992, serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre duke shkaktuar luftën e përgjakshme 4-vjeçare me mbi 100 mijë viktima. DASH deklaroi:

Janë veprime emblematike të përpjekjeve të vjetra të Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, shtyllë e paqes dhe sigurisë rajonale. Veprimet e këtyre individëve kërcënojnë integritetin territorial, paqen dhe stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës, duke minuar kornizën e (Marrëveshjes së Paqes) së Dejonit dhe institucionet e saj, përfshirë Gjykatën Kushtetuese e autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë.

Dodik ka shfrytëzuar postin zyrtar për të krijuar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me familjen e tij, në dëm të banorëve të Bosnjës. Dodik dhe familja, shpesh mbështeten në një rrjet të bashkëpunëtorëve të besueshëm për të fshehur gjurmët e përfshirjes së tyre e për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.

Lufta në Bosnjë mori fund në vjeshtën e vitit 1995, me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Akordi në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnjë e që mbahen të lidhur nga institucione qendrore të dobëta.

Serbët e Bosnjës po synojnë të fitojnë sa më shumë pavarësi të jetë e mundur. Lideri nacionalist pro-rus Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara e të Britanisë ndaj tij për shkak të qëndrimeve politike.

Vendimi i fundit vjen pak ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, zgjeroi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor e që parashikon sanksione për individët dhe entitetet që shkelin apo janë pjesëmarrës në minimin e marrëveshjeve që iu dhanë fund luftërave në rajon apo paraqesin kërcënime për sigurinë e tij.