Rajoni

Republika Serbe sfidoi Perëndimin, festoi ditën e saj!

Republika Serbe në Bosnjë kremtoi ditën e saj me një parakalim në qendër të Banjalukës, kryeqytetit të këtij entiteti. U shpërfillën thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kundër një festimi të tillë, që është shpallur jokushtetues.

Më 9 janar të vitit 1992, serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre, duke filluar luftën shkatërruese katërvjeçare, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë.

Sarajeva zyrtare i dërgoi letër proteste Serbisë për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve të saj në kremtime.

Edhe më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ritheksuan se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka vendosur në disa raste se kremtimi i Ditës së Republikës Serbe nuk është kushtetues dhe se ky vendim mbështetet në ligjet e vendit.

Duke theksuar se të gjitha entitetet janë të detyruara të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjës, përfshirë vendimet detyruese dhe përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, ambasada amerikane theksoi se mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një vepër penale.

Shtetet e Bashkuara presin që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të ndërmarrin veprime të shpejta dhe vendimtare për të hetuar çdo shkelje të ligjit në lidhje me festimin e Ditës së Republikës Serbe me 9 janar”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.

Bashkimi Europian nënvizoi detyrimin për të respektuar sovranitetin, tërësinë tokësore, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës.

BE-ja i kërkon udhëheqjes politike të entitetit të Republikës Serbe, të përmbahet dhe të heqë dorë nga retorika e veprimet provokuese dhe përçarëse, përfshirë vënien në pikëpyetje të sovranitetit, unitetit e tërësisë tokësore të vendit, thuhet në një deklaratë të Delegacionit të BE-së në Sarajevë.

Lufta në Bosnjë mori fund në vjeshtën e vitit 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Akordi në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnje, që mbahen të lidhura nga institucione të dobëta qendrore.

Serbët e Bosnjës synojnë të fitojnë sa më shumë pavarësi të jetë e mundur. Udhëheqësi nacionalist pro-rus, Milorad Dodik ka bërë thirrje të hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qëndrimit politik.

Në prag të kremtimeve të shpallura jokushtetuese, i tha televizionit proqeveritar të entitetit serb se “është detyrë e shenjtë e Republikës Serbe të dalë nga Bosnja dhe Hercegovina…”.