Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka paralajmëruar të gjithë autorët e zjarrvënieve në vend, se do të përballen me ligjin.
Përmes një postimi në “Facebook”, ministri Çuçi deklaron se me zjarrin nuk luhet dhe as nuk bëhet shaka.
Do të përballen me ligjin të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër do të shkaktojnë zjarre, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre. Me zjarrin nuk luhet e as bëhet shaka, prandaj apeloj për t’u treguar të kujdesshëm në çdo moment.
Alarmi nga zjarret! Çuçi,Veliu, Vocaj dhe Agaçi zhvillojnë takim urgjent në Ministrinë e Brendshme!
Kujtojmë se situata nga zjarret në të gjithë vendin detyroi sot Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi të mbledh rreth mesditës krerët më të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe sekretari i Përgjithshme i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi për 60 minuta zhvilluan një takim në Ministrinë e Brendshme me Çuçin. Nuk dihet saktësisht çfarë është folur midis tyre, por mësohet se numri i lartë i zjarrëvënieve të qëllimshme, është sot shqetësimi më i madh në vend.
Nga hetimet e deritanishme të policive vendore shumë vatra janë shkaktuar nga piromanët që kanë patur për qellim djegien e kullotave ose për shkak të konfliktit për pronat. Pritet një nismë për dënim kapital për autorët e zjarrit por kjo varet nga ajo çfarë do të arrijnë diskutimet mes policisë dhe strukturave të drejtësisë, që mund të reflektohet më vonë me një vendim qeveritar.