Mungesa e Taylor Swift në ceremoninë e Grammy Awards 2026 nuk ka kaluar pa u vënë re, por për fansat më të vëmendshëm kjo nuk ka qenë aspak e papritur.
Këtë vit, superylli i muzikës pop nuk ka marrë asnjë nominim, çka e bën të kuptueshme vendimin e saj për të mos marrë pjesë në eventin e madh muzikor. Bashkë me të, mungon edhe i fejuari i saj, Travis Kelce.
Edhe pse Swift publikoi një nga albumet më të diskutuara të vitit 2025, The Life of a Showgirl, projekti muzikor u lançua në tetor dhe për këtë arsye mbeti jashtë periudhës zyrtare të pranueshmërisë për Grammy 2026.
Akademia ka përcaktuar se albumet e kualifikuara duhet të jenë publikuar mes 31 gushtit 2024 dhe 30 gushtit 2025, ndaj albumi i Taylor pritet të jetë pjesë e garës vetëm në edicionin e vitit 2027.
Përpara ceremonisë së këtij viti, producenti ekzekutiv i Grammy-ve, Ben Winston, vendosi t’u japë fund spekulimeve që qarkulluan në rrjet për një paraqitje të mundshme të Swift.
Në një intervistë për Hits, ai sqaroi se gjithçka nisi nga një lajm i pabazuar që u përhap me shpejtësi në media.
Arsyeja e vetme pse njerëzit menduan se Taylor mund të performonte ose të ishte e pranishme ishte sepse Hits e publikoi këtë ide dhe më pas ajo u shpërnda kudo
-u shpreh Winston.
Vitin e kaluar, Taylor Swift ishte pjesë e ceremonisë Grammy në rolin e prezantueses, ku u shfaq me një fustan të kuq me shkëlqim nga Vivienne Westwood. Fansat e interpretuan atë paraqitje si një sinjal simbolik për nisjen e epokës së saj të re muzikore, The Life of a Showgirl.
Që nga publikimi i dokumentarit The End of an Era në dhjetor, Swift ka zgjedhur të reduktojë daljet publike. Ajo është parë së fundmi në Beverly Hills, duke darkuar me Travis Kelce pas ceremonisë së Golden Globes, por çifti shmangu si eventin, ashtu edhe festat që pasuan.
Sipas një burimi për Us Weekly, ndonëse Taylor Swift vazhdon të ketë ide dhe plane në zhvillim për karrierën e saj muzikore, aktualisht ajo nuk është e fokusuar në organizimin e një turneu për albumin The Life of a Showgirl.
Në të njëjtën kohë, prioritetet e çiftit duket se janë zhvendosur edhe drejt jetës personale. Burime pranë tyre bëjnë me dije se Swift dhe Kelce po planifikojnë dasmën e tyre në mënyrë diskrete, larg vëmendjes së tepërt mediatike.