Dua Lipa dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, tërhoqën vëmendjen e paparacëve gjatë një daljeje romantike në rrugët e Manhattan-it, ku artistja shqiptare u shfaq me një veshje që sfidoi stilin klasik me elegancë dhe guxim.
Këngëtarja 29-vjeçare u pa e veshur me një fund transparent ngjyrë nude, të kombinuar mbi një kostum të zi elegant, ndërsa pamjes së saj i shtoi sofistikim me një pallto të gjatë gri dhe një çantë të kuqe luksoze të markës “Alaïa”.
Me flokët e kapur në një topuz të rregullt dhe taka me shkëlqim, Dua Lipa u shfaq me një stil modern e tërheqës, duke dëshmuar edhe një herë statusin e saj si ikonë mode.
Ndërkohë, Callum Turner, 34 vjeç, kishte zgjedhur një veshje po aq elegante, me një kostum në ngjyrë jeshile që kompletonte harmonikisht prezencën e çiftit.
Dyshja e famshme nisën lidhjen e tyre në janar 2024 dhe sipas burimeve janë fejuar në fund të vitit, megjithatë vetëm kohët e fundit kanë filluar të shfaqen më hapur në publik.
Më herët gjatë këtij muaji, Dua ndau me ndjekësit e saj momente nga qëndrimi në Auckland, Zelandën e Re, si pjesë e turneut të saj muzikor.
Në skenë, artistja elektrizoi publikun me një performancë dinamike, ku përveç korseve sateni dhe çizmeve metalike, surprizoi audiencën me një duet emocionues me këngëtarin legjendar “Neil Finn”, duke interpretuar hitin “Don’t Dream It’s Over”.
Dua Lipa vijon të mbetet jo vetëm një yll i muzikës pop, por edhe një prej emrave më të komentuar për stilin e saj të pakrahasueshëm.