Aktualitet

Mot i paqëndrueshëm, por me temperatura të rritura!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se gjatë ditës së sotme ka një përmirësim të lehtë të temperaturave në krahasim me të enjten, teksa kushtet atmosferike mbeten të paqëndrueshme.

Sipas parashikimit, moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale të herëpashershme me diell, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Reshjet e shiut janë të herëpashershme që prej orëve të para e deri në të mesditës, në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët. Pas mesdite, me intensitet të ulët mbeten prezente në veri e në qendër.

Në lartësitë mbi 700–800 metra, në veri dhe verilindje, bie borë me intensitet të ulët deri mesatar.

Era fryn me drejtim jugperëndim-perëndim, me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e erës arrin deri në 12 m/s, duke u shoqëruar me valëzim në det të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat minimale regjistrohen në Dibër, 4 gradë Celsius dhe në Korçë, 3. Temperatura maksimale, në Gjirokastër, me 15 gradë Celsius, ndërsa në Sarandë dhe Vlorë, 14.