Sunny Hill Festival ka përmbyllur me sukses edicionin e sivjetmë, duke sjellë në skenë performanca të paharrueshme dhe emra të mëdhenj të muzikës, për një publik të entuziazmuar që kishte ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Ndër pjesëmarrësit e shumtë, këtë vit u vu re edhe një prani e madhe e fansave nga Turqia, të cilët u bënë pjesë e atmosferës unike që ofron festivali.
Mes tyre ishte edhe aktorja dhe influencerja e njohur turke, Müge Boz, e cila ndau përvojën e saj përmes postimeve në rrjetet sociale.
Në mesazhet e saj, Boz veçoi reperin shqiptar Ledri Vula si një nga artistët që i la më shumë përshtypje, duke shkruar:
Ledri Vula ishte nga emrat që më tërhoqën vëmendjen. Ai konsiderohet reperi më i mirë i Kosovës. Edhe pse nuk jam fanse e rap-it, muzika e tij më pëlqeu shumë, ndaj vendosa ta përfshij në sugjerimet e mia për ju.

Momenti u bë edhe më special kur vetë Ledri reagoi në postimin e saj, duke e falënderuar në gjuhën turke dhe duke shtuar në anglisht:
Shihemi vitin tjetër
-duke lënë të kuptohet se mund të rikthehet në skenën e Sunny Hill edhe vitin e ardhshëm.
Festivali i këtij viti jo vetëm që forcoi reputacionin e tij ndërkombëtar, por gjithashtu shërbeu si një urë lidhëse mes kulturave dhe fansave nga e gjithë bota.