Vitamina D është thelbësore për forcën e kockave, funksionimin e sistemit imunitar dhe mirëqenien e përgjithshme të trupit. Ajo ndihmon në përthithjen e kalciumit, rigjenerimin e qelizave dhe uljen e inflamacionit.
Por kur organizmi nuk e merr mjaftueshëm, trupi fillon të dërgojë disa sinjale paralajmëruese, të cilave shpesh nuk u kushtohet rëndësi.
Një nga shenjat e para të mungesës së vitaminës D është djersitja e tepërt, sidomos në zona si koka dhe fytyra, edhe kur moti është i ftohtë.
Ky fenomen ndodh sepse trupi përpiqet të kompensojë mungesën e vitaminës përmes rregullimit të temperaturës.
Një tjetër simptomë e zakonshme është lodhja e vazhdueshme. Edhe pas një nate të plotë gjumi, ndjesia e mungesës së energjisë dhe marramendjes mund të jetë tregues i mungesës së kësaj vitamine.
Ekspertët theksojnë se mungesa e vitaminës D mund të ndikojë edhe në gjendjen emocionale, duke u lidhur ngushtë me rrezikun e depresionit.
Kjo ndodh sepse vitamina D ndihmon në prodhimin e hormoneve të lumturisë, dopaminës dhe serotoninës.
Gjithashtu, dhimbjet e vazhdueshme në kocka dhe muskuj janë një tjetër sinjal që nuk duhet injoruar.
Shpesh, personat që vuajnë nga artriti apo dhimbje të kyçeve rezultojnë me nivele të ulëta të vitaminës D.
Për të rritur nivelet e saj në mënyrë natyrale, mjekët rekomandojnë ekspozim të moderuar në diell, duke përdorur gjithmonë mbrojtje me SPF për të shmangur dëmtimet e lëkurës.
Gjithashtu, ushqimet si salmoni, sardelja, toni, vezët, djathi, kërpudhat, qumështi dhe kosi janë burime të pasura të kësaj vitamine.
Nëse simptomat janë të theksuara, mjeku mund të rekomandojë suplemente specifike pas analizave të duhura.
Ndërgjegjësimi për mungesën e vitaminës D është thelbësor, sepse kujdesi i hershëm mund të përmirësojë ndjeshëm energjinë, humorin dhe shëndetin e përgjithshëm të trupit.