I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vizitoi Kosovën, ku u prit në një takim nga kryenegociatori i Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi.
Kjo është vizita e dytë e Sorensenit në Kosovë që kur mori detyrën në fillim të shkurtit dhe po ndodh në një kohë kur Kosova nuk po arrin ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pas takimit, para se të nisej për në Beograd ai u pronocua shkurt për gazetarët ndërsa nuk dha shumë detaje se për çfarë ka biseduar me Bislimin.
“Sot, sipas zbatimit të mandatit që kam , ka biseda që po bëhen në vazhdim me stafin. Është një vizitë normale, jam i lumtur që jam këtu.Do të vazhdoj në Beograd dhe pastaj në Bruksel. Jemi duke punuar, kaq”, deklaroi ai.
Sorensen u takua më herët edhe me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.
KFOR-i tha në një postim në Facebook se ata shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet e sigurisë në mbarë rajonin.