Botë e Çuditshme

Zbulohet peshkaqeni që “ecën”, specia befason studiuesit!

Një ekip studiuesish ka zbuluar një specie të re peshkaqeni, e panjohur më parë për shkencën, gjatë një ekspedite kërkimore në ujërat e Papua Guinesë së Re. Zbulimi rrit në dhjetë numrin e specieve të njohura të gjinisë Hemiscyllium, të njohura ndryshe si “peshkaqenët që ecin”. Specia e re, e quajtur Hemiscyllium dugeonae, u identifikua gjatë një zhytjeje nate të organizuar për studimin e këtyre peshkaqenëve, të cilët jetojnë në ujëra të cekëta tropikale në veri të Australisë dhe Papua Guinesë së Re. Ndryshe nga shumica e peshkaqenëve, ata përdorin pendët kraharore dhe të barkut për të “ecur” mbi fundin e detit, në vend që të notojnë vazhdimisht. Këta peshkaqenë nuk janë aspak të rrezikshëm për njerëzit.

Autorja kryesore e studimit, Jess Blakeway, tregoi se e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për diçka të pazakontë sapo pa modelin e ngjyrave të kafshës. Në vend të njollave karakteristike, peshkaqeni kishte vija të bardha përgjatë trupit ngjyrë kafe. Gjatë dy netëve në vijim, studiuesit gjetën edhe 11 individë të tjerë me të njëjtat karakteristika. Vetëm pas analizave gjenetike të kryera në Australi u konfirmua se bëhej fjalë për një specie krejtësisht të re. Ajo u emërua Hemiscyllium dugeonae në nder të studiueses Christine Dudgeon, e cila e zbuloi për herë të parë.

Banorët vendas e quajnë këtë peshkaqen kadedekedewa, që do të thotë “peshkaqeni qen” ose “peshkaqeni dembel”, për shkak të mënyrës së ngadaltë me të cilën lëviz mbi fundin e detit. Megjithëse zbulimi është cilësuar si një arritje e rëndësishme shkencore, ekspertët paralajmërojnë se specia mund të jetë tashmë e rrezikuar nga zhdukja. Ata planifikojnë ekspedita të tjera kërkimore për të mbledhur më shumë të dhëna dhe për të vlerësuar statusin e saj në Listën e Kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.