Mediat ruse kanë bërë të ditur se nesër mund të zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve Kiev-Moskë, megjithatë ende nuk ka një vendim zyrtar. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për shtyp me presidentin polak Andrzej Duda, pas vizitës së tyre në bazën ajrore Lask, i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë luftën në Ukrainë dhe t’i rikthehet diplomacisë.
Stoltenberg u shpreh se ata do të mbrojnë çdo territor të NATO-s. Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se qëllimi i Kievit është zhvillimi i bombës atomike dhe se kjo do të ishte rrezik për gjithë botën. Pushtimin rus të Ukrainës ai e interpreton si përpjekje “për të parandaluar shfaqjen e armëve bërthamore në Ukrainë”.
Ndërkohë që Presidenti i Ukrainës ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ukrainasit nuk do të ndalen së mbrojturi tokën e tyre. Zelenski kërkon ndalimin e Rusisë në të gjitha aeroportet dhe portet globale, teksa i kërkoi perëndimit të “të konsiderojë një mbyllje totale të qiellit për raketat, avionët dhe helikopterët rusë”. Presidenti firmosi edhe urdhrin ekzekutiv që i fton të gjithë të huajt që të luftojnë pasi tashmë as viza nuk do të nevojitet për të hyrë në Ukrainë.
Dje rreth 6 orë zgjatën bisedimet mes palëve në Gomel të Bjellorusisë. Pas diskutimeve palët janë kthyer për konsultime në vendet përkatëse dhe pritet një raund i dytë bisedimesh. Kreu u delegacionit rus ka dhënë sinjale pozitive kur ka deklaruar se pika të rëndësishme të përbashkëta janë gjetur gjatë bisedës që mund të çojnë në rezultate pozitive.
Sipas mediave të huaja, ndërprerja e menjëhershme e zjarrit dhe tërheqja e trupave ruse, ishte kërkesa e Kievit ndaj Rusisë. Ndërkohë, Moska deklaroi se dëshiron të arrijë një marrëveshje që ishte në interes të të dyja palëve. Por ka shumë skepticizëm për rezultatin e negociatave në Bjellorusi. Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha se 24 orët e ardhshme janë vendimtare për Ukrainën.
Kanali i negociatave është i hapur, edhe nëse pozicionet duken ende shumë të largëta për të dhënë shpresë për një armëpushim të shpejtë. Pas takimit të parë, delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do të takohen sërish, këtë herë në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Vladimir Putin dje diktoi kushtet e tij për t’i dhënë fund sulmit ushtarak në Kiev: Moska – tha presidenti rus në bisedën e tij me Emmanuel Macron – kërkon njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe çmilitarizimin dhe neutralitetin e Ukrainës.