Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Google dhe Muon Space
Google nuk di të ndalet! Pasi na nxorri reklama dhe në ëndrra, tani po shpëton pyjet me një satelit të ri në bashkëpunim me Muon Space. Ky satelit i ri, lart në orbitë ka një mision të madh: të zbuloje zjarret para se ato të shndërrohen në apokalips.
Si e bën këtë? Me sensorë super të avancuar që dallojnë temperaturat anormale dhe ndihmojnë zjarrfikësit të ndërhyjnë me shpejtësi. Imagjino të kesh një “Google Maps” që tregon ku do të shpërthejë zjarri para se të ndodhë – po, fiks kështu funksionon!
Çfarë ka me mirë se kaq? Kjo teknologji s’është vetëm për Amerikën, por mund të ndihmojë të gjithë botën. Nëse ndonjëherë ke menduar që Google di gjithçka për ty, tani ai di edhe kur një degë peme nxehet më shumë seç duhet. Nëse ky satelit bën punën siç duhet, ndoshta herën tjetër që do të ndezësh një zjarr për kamping në mal, Google do të të dërgojë një njoftim: “Fike atë zjarr, o zjarrvënës!”
Joby dhe Virgin Atlantic
Harro taksinë, harro autobuzët që janë gjithmonë me vonesë – Anglia po përgatitet për taksitë ajrore elektrike! Joby Aviation dhe Virgin Atlantic kanë bashkuar forcat për të sjellë fluturimet urbane që do t’i bëjnë rrugët një kujtim të së kaluarës. Po, s’është më vetëm një ëndërr nga filmat sci-fi – këto mini-helikopterë elektrikë do të ngrihen mbi kaosin e rrugëve dhe do të të çojnë nga qendra e Londrës në aeroport në vetëm 10 minuta.
E bukura e kësaj? Janë të qetë, të pastër dhe pa një pilot që të të pyesë: “Po puna si po të shkon?”. Me një bateri që mban deri në 160 km, këto makina/helikopter fluturuese mund të ndryshojnë mënyrën si lëvizim në qytet.
Po prit pak, mos u nxito të porositësh ende një udhëtim, se do duhen ca vite derisa ta kemi këtë luks. Deri atëherë, vazhdo luftën e përdithshme me trafikun, por mos harro – shumë shpejt, do mund t’jua bësh me dorë makinave nga lart, me një koktej në dorë dhe zero stres për semaforët e kuq!
Golf virtual në Shqipëri? Pse jo!
Golfi po bëhet futuristik! Harrojini fushat e gjelbërta pa fund, sepse tani ke mundësinë të gjuash topin në një ekran gjigand, me teknologji që mat çdo lëvizje tëndën. TGL, kjo ligë e re e golfit virtual, po sjell një përzierje mes sportit dhe gaming , që bën edhe Tiger Woods të çuditet.
Po në Shqipëri? Imagjino një fushë virtuale golfi në Tiranë – pa shi, pa baltë, dhe pa stresin e të kërkuarit për topin nëpër shkurret e Liqenit. Një sallë high-tech ku mund të sfidosh shokët, të përmirësosh lojën dhe të mos shqetësohesh për rregullat strikte të golfit klasik.
Le të jemi realistë, kjo do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për të futur golfin në kulturën tonë pa pritur vite për ndërtimin e fushave tradicionale. Imagjino të kesh një qendër golfi pranë qendrës së qytetit, ku mund të luash me një birrë në dorë dhe të bësh golf pa u shqetësuar për motin. Si thua, e hapim lojën e parë bashkë?
Google Pixel 9A
Google s’e mban dot një sekret as për veten e vet! Pixel 9A, telefoni që supozohej të ishte “top sekret”, u publikua padashje nga një influencer i Google vetë! Po mirë, tani që s’është me sekret në internet, hajde ta shqyrtojmë pak.
Nga çfarë shohim, 9A duket si një version më i lirë i Pixel 9, me dizajn të rifreskuar, një ekran OLED super të qartë dhe sigurisht, atë kamerën “magjike” që i bën fotot të duken sikur ke një iPhone. Dhe sigurisht, Google s’do të zhgënjejë me AI-n e tij që do të të ndihmojë të fshish ish-at nga fotot, ose të bësh sikur je në pushime kur realisht je në shtëpi.
A do jetë më i lirë se Pixel 9? Padyshim. A do të ketë performancë të mirë? Shumë e mundshme. A do të dalë ndonjë influencer tjetër që do e nxjerrë më parë se Google? 100% e sigurt!
Sinqerisht, Google mos u lodh më me eventet – thjesht jepua influencerëve dhe le ta shohim telefonin para kohe!
QLED vs OLED: Cilin TV të blesh?
Po kërkon një televizor dhe je midis QLED dhe OLED? Mos u shqetëso, ja ku e ke përgjigjen!
QLED (Quantum LED) ka ngjyra të ndezura, është shumë i ndritshëm dhe nuk do të shqetësohesh për djegie ekrani (burn-in). Kjo është zgjedhja e duhur nëse do të shikosh TV me dritat ndezur, apo ke një dhomë me shumë dritare. Plus, vjen më lirë për madhësi më të mëdha ekrani.
OLED (Organic LED) është për ata që duan eksperiencë kinemaje në shtëpi. Çdo pixel ndriçon vetë, duke dhënë kontrast perfekt dhe të zezë absolute. Ideal për filma, gaming dhe dhoma të errëta. Por kujdes, nuk është aq i ndritshëm sa QLED dhe ka rrezik për burn-in nëse lë një imazh fiks për një kohë të gjatë.
Cila zgjedhje është më e mira?
• Ke një dhomë të ndriçuar? Bli QLED.
• Do të shohësh filma me cilësi maksimale? OLED është për ty.
• Do të kursesh? QLED është zgjidhja e duhur.
Në fund, cilësia është super tek të dy, thjesht zgjidh atë që i përshtatet mënyrës tënde të shikimit dhe xhepit tënd!
Renault R5 Turbo Electric
Renault! Po po, ata që bënin makina të thjeshta për qytet, sapo hodhën në treg një bishë elektrike që duket sikur del nga një garazh rallie nga vitet ’80, por me teknologjinë e një rrrrakete nga e ardhmja. 536 kuaj fuqi. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që kjo makinë mund të të tërheqë shpirtin nga trupi sapo shtyp gazin!
Dizajni? Një kombinim perfekt mes nostalgjisë dhe së ardhmes – i vogël, agresiv, me fletë që duken sikur janë gati të presin ajrin në gjysmë! Gjithashtu Renault ka vendosur një frenë dore që e bën çdo kthesë të ndihet sikur je në WRC!
Dhe më e bukura, është elektrik! Po, kjo bombë me rrota nuk ka më benzinë, por sërish është gati të bëjë rrugën të duket si një pistë gare.
Truri artificial?
Nëse mendove se inteligjenca artificiale ishte e frikshme, prit derisa të dëgjosh për Cortical Bioengineered Intelligence (CBI) – një kompjuter që përdor qeliza të gjalla të trurit! Po, po, shkencëtarët tani po programojnë neurone të vërteta për të krijuar procesorë që mund të mësojnë dhe të adaptohen si një tru i gjallë.
Si funksionon? Ata rrisin një mini-tru në laborator, i lidhin me elektroda dhe e trajnojnë të bëjë detyra, ashtu siç mëson AI. Kjo mund të sjellë kompjutera që janë më efikasë, më të zgjuar dhe që harxhojnë shumë më pak energji.
Por prit një sekondë… a do të thotë kjo që kompjuterat tanë do fillojnë të kenë ndjenja?! A do të kemi laptopë që na lenë seen kur s’kanë qejf të punojnë? Apo më keq – një telefon që mërzitet me ne dhe na bën ghost?!
Gjithsesi, teknologjia është ende në fillime. Por një ditë, në vend të “Restart”, ndoshta do duhet t’i japim leje për një sy gjumë kompjuterit tonë… ose më mirë një kafe!
Claude AI po luan Pokémon
AI i Anthropic, Claude, ka vendosur të luajë Pokémon! Po, tani nuk mjafton që AI të na marrë vendet e punës, tani po përpiqet të bëhet kampion edhe në Pokémon. Duke përdorur vetëm tekst, Claude analizon lojën, bën zgjedhje strategjike dhe përpiqet të fitojë betejat – tamam si një gamer i vërtetë, por pa një controller!
Kjo është një provë se AI mund të mësojë edhe nga lojërat klasike, duke u përmirësuar me çdo veprim. Por prit, nëse sot AI po luan Pokémon, nesër çfarë do bëjë? Do të bëhet trajner personal për lojërat tona? Apo më keq – do të na mundë në çdo lojë dhe pastaj do të na bëjë moral për aftësitë tona në lojë?
Një gjë është e sigurt: Claude po tregon se AI nuk është vetëm për punë serioze, por edhe për gaming, argëtim dhe ndoshta për të na bërë të ndihemi si lojtarë të dobët!