Gossip

Nga kopertinat e fitnesit në rrugët e LA-së! Rënia tragjike e ish-modeles që dikur jetonte ëndrrën e Hollywood-it!

Për botën e jashtme, Loni Willison dukej se kishte gjithçka: një martesë me një yll të Hollywood-it, famë, bukuri dhe paraqitje të rregullta në kopertinat e revistave të fitnesit. Por pas fotos perfekte fshihej një realitet i errët, që sot e ka lënë ish-modelen 40-vjeçare të jetojë në rrugët e Los Angelesit.

Fotot e fundit tronditëse të publikuara nga The Sun e tregojnë Lonin duke tërhequr një karrocë të mbushur me sendet e saj personale, me shenja të dukshme dhune fizike, mungesë dhëmbësh dhe një pamje krejtësisht të largët nga imazhi glamur që dikur e karakterizonte.

Prej vitesh ajo është e pastrehë dhe është parë shpesh duke kërkuar ushqim në kazanët e plehrave.

Rënia e saj nisi pas divorcit të trazuar nga aktori i “Baywatch”, Jeremy Jackson, me të cilin u martua në vitin 2012. Pas ndarjes, Loni përjetoi probleme të rënda të shëndetit mendor, humbi punën, shtëpinë dhe më pas ra në varësi nga droga dhe alkooli.


Ajo ka treguar se jeton në rrugë edhe për të shmangur abuzimet seksuale, duke u përpjekur të duket sa më e pistë dhe e parregullt.

Në intervista të mëparshme, Loni ka pranuar se ka refuzuar ndihmën e miqve dhe ofertat për rehabilitim, duke thënë se “mund të jetojë vetë” dhe se nuk dëshiron të ndihmohet nga askush.

Miqtë e saj, megjithatë, shprehen të shqetësuar dhe shpresojnë që këto pamje të shërbejnë si alarm për ta nxitur të pranojë ndihmën që i nevojitet.

Historia e Lonit është një tjetër dëshmi se pas glamurit të Hollywoodit mund të fshihen drama të thella personale, dhe se fama nuk është gjithmonë garanci për një fund të lumtur.