Aktualitet Sport

Nga mesfushori i Lecces, te futbollisti që u grumbullua për herë të parë, ja katër lojtarët që do e ndjekin nga tribuna ndeshjen Shqipëri-Serbi

Trajneri Sylvinho ka bërë zgjedhjet e tij për përballjen ndaj Serbisë, duke lënë jashtë listës zyrtare të ndeshjes katër futbollistë nga grupi fillestar prej 27 lojtarësh.

Sipas rregullores së UEFA-s, vetëm 23 emra lejohen të jenë pjesë e protokollit për ndeshjen, dhe nga kjo listë kanë mbetur jashtë Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti.

Mungesa e Medon Berishës konsiderohet surprizë, pasi mesfushori i Serie A ka qenë pjesë e pankinës në ndeshjet e kaluara ndaj Anglisë dhe Andorrës. Po ashtu, edhe Adrion Pajaziti, që ka marrë minuta në dy ndeshjet e para kualifikuese, nuk do të jetë në dispozicion për këtë përballje të rëndësishme.

Portieri Mario Dajsinani, që u grumbullua për herë të parë nga Sylvinho për këtë cikël, nuk do të ketë mundësi të jetë alternativë në portë, ndërsa mbetet të presë një rast tjetër për të debutuar në një ndeshje zyrtare. Adrian Bajrami, i cili nuk ka arritur ende të fitojë minuta nën drejtimin e trajnerit brazilian, mbetet gjithashtu jashtë.

Shqipëria përballet me Serbinë sonte në orën 20:45, në një ndeshje mjaft delikate dhe me rëndësi të madhe për kualifikueset e Botërorit 2026.

Siç ka mësuar gazetari i Top Channel, Endi Tufa, rreshtimi pritet të jetë 4-3-3, me Strakoshën në portë. Në mbrojtje Gjimshiti e Ajeti, të cilët do të mbulohen nga krahët nga Hysaj e Mitaj.

Në mesfushë është treshja e përhershme me Ramadanin, Asllanin dhe Laçin e në sulm pritet ndryshim “rrënjësor”.

Krahët mund të mbulohen nga Broja e Arbër Hoxha dhe maja e sulmit pritet t’i besohet Mirlind Dakut, duke lënë në stol treshen Bajrami-Asani-Manaj (ky i fundit ka shfaqur disa probleme shëndetësore në seancat e fundit stërvitore).
Gjithsesi, ashtu siç bëri të ditur trajneri brazilian Sylvinho, formacioni i tij titullar është gati e do ta publikojë sot, vetëm një orë përpara startit të ndeshjes Shqipëri-Serbi.